Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë, Igli Hasani, nisi sot nga Kosova turin treditor rajonal: Kosovë-Maqedoni e Veriut-Mal i Zi.
Në nisje të këtij turi treditor, Hasani u prit nga homologia e Kosovës, Donika Gërvalla-Schwarz.
“Vetëm koordinimi, mbështetja e ndërsjellë, bashkërendimi dhe unifikimi i politikave e qëndrimeve tona na bëjnë më të fuqishëm në arenën ndërkombëtare. Shqiptarët në Ballkanin Perëndimor mund të shndërrohen në bërthamë të rëndësishme për paqen dhe stabilitetin e rajonit”, tha ministrja e Punëve të Jashtme të Kosovës Donika Gërvalla në konferencën e përbashkët për media në Prishtinë me homologun e tij nga Shqipëria, Igli Hasani.
Qëllimi i i turit rajonal, siç tha kryediplomati shqiptar Hasani, ka për qëllim ndarjen e ideve e mendimeve mbi punën që duhet bërë të gjithë së bashku për të mirën e rajonit e për të mirën e qytetarëve tanë, për të avancuar bashkëpunimin dhe projektet e shumta mes nesh, por edhe integrimin e Ballkanit Perëndimor në hapësirën euroatlantike.
“Jemi të gjithë dëshmitarë të faktit që, pavarësisht progresit që është bërë, siguria dhe stabiliteti janë më të kërcënuara sesa në çdo moment tjetër gjatë dekadës së fundit”, theksoi ai.
“Ne, kemi dënuar ashpër sulmin e dhunshëm të orkestruar e të armatosur kundër policisë së Republikës së Kosovës më 24 shtator të vitit të kaluar në veri të vendit. Ky sulm është një akt kriminal dhe i rrezikshëm terrorist kundër stabilitetit, integritetit, pavarësisë, ligjit dhe rendit të Kosovës. Sulmi ishte një kërcënim i rëndë për sigurinë dhe stabilitetin e gjithë rajonit tonë, me pasoja të drejtpërdrejta për Evropën tonë të përbashkët”, vijoi ai.
Hasani vuri në dukje se autorët, organizatorët dhe nxitësit e këtij akti duhet të mbajnë përgjegjësi dhe të dalin para drejtësisë së shpejti.
“Kjo është e domosdoshme për të mos lejuar një përshkallëzim të mëtejshëm të situatës, me pasoja ndoshta të pakthyeshme.
Prandaj, tani më shumë se kurrë është e nevojshme që të gjithë ato vende e ato forca që besojnë tek paqja e stabiliteti, te bashkëpunimi e integrimi euroatlantik, të punojnë së bashku për të ardhmen e rajonit tonë dhe të mirën e qytetarëve tanë”, u shpreh ministri Hasani.
“Shqiptarët duhet të luajnë një rol të dorës së parë në këtë përpjekje për të ardhmen tonë të përbashkët. E pa dyshim që Shqipëria dhe Kosova duhet të jenë në zemër të kësaj përpjekjeje, si dy vende e një popull, që më shumë se kushdo tjetër e mbështesin perspektivën euroatlantike të Ballkanit Perëndimor”, theksoi Hasani.