Gjakova ribashkon Tiranën dhe Prishtinën / Foto: AA

Nesër në Gjakovë do të mbahet mbledhja e 9-të e përbashkët e qeverive të Shqipërisë dhe Kosovës. Që nga viti 2014 deri tani, Shqipëria dhe Kosova kanë mbajtur tetë mbledhje të përbashkëta të qeverive, 4 në Kosovë dhe 4 në Shqipëri. Në këto mbledhje janë firmosur 41 marrëveshje ndërqeveritare dhe ndërinstitucionale.

Projekti më i rëndësishëm, i dalë nga mbledhjet ndërqeveritare, është Porti i Thatë i Prishtinës, i cili duhet të lidhet me Portin e Durrësit në ndërtim. Pjesë e projektit është edhe ndërtimi i hekurudhës që lidh këto dy porte.

Kosova dhe Shqipëria gjithashtu kanë bërë shumë hapa për të liberalizuar lëvizjen e njerëzve mes të dyja vendeve, duke ulur gjithnjë e më shumë relevancën e kufirit në mes.

Çfarë pritet nga mbledhja në Gjakovë?

Gjakova për herë të parë do të jetë nikoqir i një mbledhjeje të tillë. Sipas paralajmërimeve, më 14 qershor do të firmosen 13 marrëveshje të reja, si dhe do të vlerësohet zbatimi i marrëveshjeve të deritanishme.

Ndër marrëveshjet që pritet të nënshkruhen, veçohet marrëveshja për njohjen e ndërsjellë të profesionit të avokatit dhe të ndërmjetësit për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve.

Sipas një drafti të publikuar nga mediat e Kosovës, marrëveshja parashikon që personi i cili ka fituar të drejtën e ushtrimit të profesionit të avokatit në Republikën e Shqipërisë, në përputhje me legjislacionin e këtij vendi, ka të drejtën të ushtrojë këtë profesion në Republikën e Kosovës dhe anasjelltas, në përputhje me parashikimet e nenit 5 të kësaj marrëveshje.

Marrëdhëniet Rama-Kurti

Mbledhja e përbashkët ndërqeveritare vjen në një kohë kur kryeministrat e dy vendeve, Edi Rama i Shqipërisë dhe Albin Kurti i Kosovës, kanë pikëpamje të ndryshme në raport me dialogun për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.

Kryeministri shqiptar në Tiranë, Rama, njoftoi së fundmi se i ka dorëzuar Gjermanisë dhe Francës një draft-statut për themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe në Kosovë.

Kjo lëvizje e tij vjen pikërisht në kohën kur kanë kulmuar tensionet mes Kosovës dhe Serbisë lidhur me komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës.

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti deri tani nuk e ka komentuar këtë draft. Ndërsa Rama në një prononcim të këtyre ditëve tha se qëllimi i tij dhe i homologut nga Kosova, Albin Kurti, është i njëjtë, por se kanë zgjedhur rrugë të ndryshme për të arritur atë qëllim.

TRT Balkan