Terror, dhunë dhe spastrim entik u zbatua mbi shqiptarët e Çamërisë nga forcat greke rreth 80 vjet më parë, gjatë kohës së Luftës së Dytë Botërore. Nga qershori i vitit 1944 deri në mars të vitit 1945, mijëra shqiptarë të Çamërisë përjetuan një gjenocid të ashpër nga forcat greke nën komandën e Napoleon Zervës, që rezultoi me vdekjen masive të civilëve, por edhe me shkatërrimin, grabitjen dhe konfiskimin e pronave të tyre, ndërkohë që sot ende kjo plagë është e hapur.
Gjenocidi grek ndaj popullsisë çame është i dokumentuar në dokumente arkivore të disa arkivave të vendeve evropiane, por edhe rrëfehet ende në ditët e sotme nga shumë shqiptarë të Çamërisë që e kanë përjetuar dhe kanë qenë dëshmitarë të masakrave, ku edhe vetë historianë çamë kanë dokumentuar dhe rrëfyer gjenocidin e egër ndaj tyre.
Rrëfimet e të mbijetuarve të masakrës së Çamërisë tregojnë se masakrat u kryen me armë të ftohta, me varje e zjarr. Mëshirë nuk patën as ndaj fëmijëve e as grave shtatzëna. Bilancin e viktimave e rënduan edhe vdekjet nga kushtet e këqija të jetesës, uria dhe vështirësitë gjatë shpërnguljes.
Në vlerësimet e historianëve, por edhe të përfaqësuesve të komunitetit çam, janë rreth 5 mijë shqiptarë të Çamërisë, civilë të pafajshëm, mes tyre të moshuar, gra dhe fëmijë që humbën jetën nga masakrat dhe nga vuajtjet, që shënon një periudhë tragjike të fatit të popullsisë çame.
Si pasojë e masakrave u spastrua etnikisht një popullsi prej 35.000 banorësh, shqiptarë myslimanë të Çamërisë që u vendosën kryesisht në Shqipëri si refugjatë. Për të ndihmuar refugjatët çamë, u angazhuan edhe institucionet ndërkombëtare, duke ngritur kampe në Shqipëri, siç ishte kampi në Kavajë.
Të ndodhur përballë gjenocidit, shqiptarët e Çamërisë u larguan nga vatrat e tyre, duke u vendosur kryesisht në Shqipëri, dhe vende të tjera, ndërsa një numër i madh i pjesëtarëve të këtij komunitet ndërtuan jetën e tyre në emigrim në disa shtete të botës, si në Türkiye, Kosovë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Kanada, Itali dhe disa vende të tjera evropiane.
Shqiptarët e Çamërisë pas gjenocidit u vendosën në qytete të ndryshme të Shqipërisë, duke filluar që nga jugu i vendit, si në Sarandë, Konispol, pastaj në Shqipërinë e Mesme, Tiranë, Elbasan, si dhe në Fier, Lushnjë dhe Kavajë.
Persekutimi ndaj shqiptarëve të Çamërisë nuk përfundoi me gjenocidin gjatë Luftës së Dytë Botërore, pasi edhe gjatë regjimit komunist në Shqipëri pjesëtarët e këtij komuniteti u përndoqën dhe u dënuan për motive të ndryshme, përfshirë edhe ato politike.
Organizatat dhe partitë që mbrojnë të drejtat e popullsisë çame, por edhe dokumentet e ndryshme arkivore të shtetit shqiptar tregojnë për persekutimin e pjesëtarëve të komunitetit çam nga regjimi komunist, ku qindra familje të shqiptarëve të Çamërisë janë përndjekur dhe persekutuar në mënyrë sistematike dhe dhjetëra personalitete me origjinë çame janë ekzekutuar.
Çka përfshin rajoni i Çamërisë?
Çamëria është një krahinë gjeografike dhe etnografike në pjesën më jugore të trevave të banuara prej shqiptarëve, që shtrihet përgjatë bregdetit të Detit Jon dhe qendrat kryesore të saj janë Filati, Gumenica, Lura, Margëllëçi, Arta, Paramithia, Parga dhe Preveza. Emri Çamëri e çam lidhet me emrin antik të lumit Thyamis (Thiamis), sot Kalama. Sipas Fjalorit Enciklopedik Shqiptar (Botim i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë), Çamëria ka qenë e banuar që në antikitet nga fiset ilire, ndërsa në periudhën osmane njihet si pjesë e Vilajetit të Janinës deri në vitin 1912.
Me vendimet e Konferencës së Ambasadorëve të Londrës në vitin 1913, pjesa më e madhe e Çamërisë iu dha Greqisë, ndërsa brenda kufijve të shtetit shqiptar mbetën disa fshatra me popullsi myslimane dhe ortodokse dhe pikërisht pas këtij vendimi do të fillonte tragjedia për popullatën çame.
Prej vitit 1994 në Shqipëri, 27 qershori shënohet si Dita e gjenocidit ndaj shqiptarëve të Çamërisë nga shovinistët grekë.
Çështja çame në Shqipëri
Përveç persekutimit ndaj personaliteteve me origjine çame, çështja e Çamërisë gjatë komunizmit në Shqipëri (1944-1991) mbeti në heshtje. Heshtja mbi 45-vjeçare mbi çështjen çame gjatë sistemit komunist do të përfundonte me rënien e regjimit, ku komuniteti i shqiptarëve të Çamërisë u riorganizua në shoqata, parti politike dhe grupime të tjera, për të unifikuar qëndrimet dhe kërkesat në lidhje me kauzën e tyre.
Çështja çame në tri dekadat e fundit arriti të kombëtarizohet, por edhe të trajtohet nga përfaqësuesit e këtij komuniteti edhe në organizma ndërkombëtare. Gjatë kësaj periudhe në qytete të ndryshme të Shqipërisë, Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut janë mbajtur aktivitete të shumta në përkujtim të shqiptarëve të Çamërisë.