Greqia e dënoi qasjen e presidentes së sapozgjedhur të Maqedonisë së Veriut, Gordana Siljanovska-Davkova, e cila gjatë betimit zyrtar në Kuvend refuzoi të shqiptojë emrin e ri të vendit, i cili është rezultat i Marrëveshjes së Prespës mes Maqedonisë së Veriut dhe Greqisë, të nënshkruar në vitin 2018.
“Ky akt shkel qartë Marrëveshjen e Prespës, si dhe Kushtetutën e shtetit fqinj, e cila është e harmonizuar me detyrimet ndërkombëtare. Qeveria greke, pavarësisht kundërshtimeve që ka shprehur gjatë ratifikimit të marrëveshjes, e ka respektuar atë si një marrëveshje ndërkombëtare të ratifikuar që ka përparësi ndaj çdo dispozite tjetër ligjore”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Jashtme të Greqisë.
Maqedonia e Veriut dhe Greqia nënshkruan Marrëveshjen e Prespës në qershor 2018, sipas së cilës Maqedonia ndryshoi emrin e saj në Maqedoni e Veriut, ndërsa Greqia hoqi veton për anëtarësimin në NATO.
Greqia paralajmëroi gjithashtu se marrëdhëniet e saj dypalëshe me Maqedoninë e Veriut dhe kursi evropian i Shkupit do të varen nga zbatimi i plotë i marrëveshjes dhe "mbi të gjitha nga përdorimi i emrit kushtetues të vendit".
Gordana Siljanovska-Davkova, presidentja e parë femër e Maqedonisë së Veriut, refuzoi të thoshte "Maqedonia e Veriut" gjatë betimit të saj të dielën.
“Deklaroj se do t'i kryej detyrat e Presidentit të Maqedonisë me ndërgjegje dhe përgjegjësi, do ta respektoj Kushtetutën dhe ligjet dhe do ta mbroj sovranitetin, integritetin territorial dhe pavarësinë e Maqedonisë”, tha Siljanovska-Davkova në ceremoninë në mbajtur në Kuvend.
Kandidatja e krahut të djathtë të VMRO-DMPNE-së, Gordana Siljanovska-Davkova, u zgjodh për një mandat pesëvjeçar në raundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale të 8 majit. Ajo mundi socialdemokratin, presidentin në largim, Steve Pendarovoski, me 65 përqind të votave.