Gjoba dhe burg për përdoruesit e mjeteve piroteknike në rajon.     Foto: TRT Balkan

Nga festa në tragjedi. Kështu është epilogu i festave të fundvitit në vendet e rajonit.

Kremtimi i Vitit të ri me fishekzjarre shpesh ka një fund tragjik.

Përdorimi i mjeteve piroteknike pothuajse për çdo vit ka rënie, mirëpo fishekzjarrët mund të blihen ende nga stendat dhe shitësit informalë me çmime të përballueshme për të gjithë.

Përveç rekomandimeve për kujdes nga përdorimi i mjeteve piroteknike, të gjitha vendet e rajonit kanë paraparë edhe masa restriktive për shitësit ilegalë dhe keqpërdoruesit e tyre.

Mali i Zi më rigoroz

Dispozitat e Ligjit për Rendin dhe Qetësinë Publike në Mal të Zi, parashohin se çdo shkelje e normave ligjore mbi përdorimin e mjeteve piroteknike dënohet nga 150 deri në 1500 euro ose dënim me burg deri në 60 ditë.

Me këto masa të restriksionit Mali i Zi e zë vendin e parë në rajon sa i përket sanksionimit për keqbërërësit e mjeteve piroteknike.

Dispozita të ngjashme në Shqipëri dhe Serbi

Përveç Malit të Zi ndër vendet e tjera më strikte sa i përket kujdesit a mbrojtjes së qytetarëve nga dëmi i shfrytëzimit të mjeteve piroteknike në rajon janë Shqipëria dhe Serbia.

Qytetarët që i përdorin fishekzjarret në mënyrë të paligjshme për festime do të gjobiten me 600 euro, ndërsa prindërit që ndezin fishekzjarre me fëmijë të mitur mund të gjobiten deri në 800 euro.

Nga ana tjetër, autoritetet serbe përcaktojnë gjoba nga 400 deri në 800 euro, si dhe mund të caktohet një gjobë prej 40 deri në 120 orë punë në komunitet.

Kjo masë penale zbatohet edhe për prindërit e fëmijëve të mitur.

Maqedonia e Veriut, deri në dhjetë vite burg

Në Maqedoninë e Veriut, gjoba minimale për fishekzjarre të paautorizuara është 200 deri në 500 euro. Ata që shpërndajnë në mënyrë të paligjshme sasi të mëdha lëndësh plasëse kërcënohen me burgim nga tre deri në dhjetë vjet.

Kosova dhe BeH me gjoba të njëjta

Në Kosovë dhe Bosnjë e Hercegovinë gjoba më e lartë për lëndët piroteknike ilegale është 500 euro.

Ndryshe, nga viti 2021, ku në Kosovë kanë hyrë mbi 40 tonë mjete piroteknike, Dogana e Kosovës thotë se këtë vit kanë hyrë rreth 120 tonë në vlerë mbi 200 mijë euro.

Ndërkohë autoritetet komunale të Kosovës kanë caktuar afatet nga 25 dhjetori deri më 3 janar për përdorimin e mjeteve piroteknike gjatë festave të fundvitit, por jo në vende publike.

Pasojat nga fishekzjarret

Në të shumtën e rasteve prindërit bien pre e dëshirës së madhe të fëmijëve për t’u argëtuar me mjete piroteknike gjatë festës së Vitit të Ri, prandaj ato ua blejnë ato, gjë që shpeshherë rezulton me fatkeqësi.

Fishekzjarret dhe mjetet piroteknike nuk janë aspak një lodër e shkujdesur për fëmijët. Festimet e Vitit të Ri me fishekzjarre mbartin shumë rreziqe. Pasojat më të zakonshme të ndezjes së fishekzjarreve dhe mjeteve piroteknike janë lëndimet e duarve dhe grisja e gishtave, si dhe djegiet, dëmtimi i shikimit dhe dëgjimit. Lëndimet mund të jenë të gjata dhe të vështira për t'u riparuar, të cilat gjithashtu mund të shkaktojnë paaftësi të përhershme te viktimat.

TRT Balkan