Serbia mbështet popullin e Izraelit, tha ministri i Jashtëm serb Marko Gjuriq të mërkurën pas një takimi me ministrin e Jashtëm izraelit Gideon Sa'ar në Jerusalem.
Duke vënë në dukje se Serbia ka bërë progres të rëndësishëm ekonomik në periudhën e kaluar dhe është në ballë të rritjes ekonomike në Evropën Juglindore, me një normë rritjeje mbi katër për qind, Gjuriq tha se tema ishte edhe forcimi i bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve në sferën teknologjike dhe inovacionin.
"Me rritjen e industrisë së IT-së dhe softuerëve, Beogradi është bërë qendër për shumë kompani të teknologjisë së lartë, si nga ShBA-ja ashtu edhe nga Evropa. Kjo është arsyeja pse ne duam ta ndërtojmë të ardhmen tonë në këtë fushë në partneritet me Izraelin", theksoi Gjuriq, duke shtuar se të dy vendet mund të arrijnë shumë së bashku në fushën e ekonomisë, sipas faqes së internetit të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Serbisë.
Serbia dëshiron të shohë rritjen dhe prosperitetin e Izraelit, si dhe fluksin e mëtejshëm të investimeve izraelite në Serbi, tha Gjuriq.
Duke iu referuar situatës në Lindjen e Mesme, Gjuriq theksoi se Serbia mbështet popullin e Izraelit, i cili u ka mbijetuar sulmeve të shumta.
"Dua të përfitoj nga ky rast për të thënë se ne jemi veçanërisht të ndjeshëm ndaj situatës së pengjeve, sepse ka ende shumë njerëz që mbahen nga Hamasi. Njëri prej tyre, Alon Ohel, është një shtetas izraelito-serb, i cili u rrëmbye kur ishte vetëm 22 vjeç. Ai nuk ishte person ushtarak. Ai nuk ishte i armatosur. Ai është një pianist”, tha Gjuriq.
Ministri i Jashtëm izraelit, duke folur për mediat pas takimit, theksoi vendosmërinë e tij për t'i forcuar marrëdhëniet dypalëshe me Serbinë dhe, në këtë kontekst, vuri në dukje rëndësinë e vizitave të nivelit të lartë.
Duke folur për fatin e të rrëmbyerve në sulmin e Hamasit, Sa’ar përsëriti angazhimin e vendosur të Izraelit për lirimin e të gjitha pengjeve dhe shprehu shpresën se Alon Ohel, një shtetas izraelito-serb, do të ribashkohet së shpejti me familjen e tij dhe falënderoi Serbinë për solidaritetin e saj me familjet e të rrëmbyerve.
Në bisedimet e sotme, sipas tij, kanë folur edhe për situatën në Liban dhe Rripin e Gazës.