Sipas aktakuzës, Pjetër Shala dhe disa ushtarë, policë dhe roje të UÇK-së në mes 17 majit 1999 dhe 5 qershorit 1999 “morën pjesë në ndalimin arbitrar, trajtimin mizor, torturën dhe në një rast në vrasjen e paligjshme të një të ndaluari në fabrikën e metalit në Kukës të Shqipërisë”. Ish-pjestar i UÇK-së Pjetër Shala nga Gjykata Speciale e Kosovës me seli në Hagë është shpallur fajtor dhe është dënuar me 18 vite burgim. Zyra e Prokurorit të Specializuar ka kërkuar që dënimi të jetë prej 28 vitesh burgim.
Pas shpalljes së aktgjykimit Shala ka provuar të flas, por nuk është lejuar nga trupi gjykues.
“Trupi gjykues konstaton se është përmbushur secili prej elementit përbërës të ndalimit arbitrar si krim lufte, pika 1, torturës- pika 3 dhe vrasjes së paligjshme-pika 4. Sa i përket trajtimit mizor si krim lufte-pika 2, trupi gjykues vë në dukje se faktet bazë të akuzës së trajtimit mizor janë identike me faktet bazë të akuzës së torturës”, ka thënë kryetarja e trupit gjykues, Mappie Veldt-Foglia.
Në këtë proces gjyqësor, ZPS-ja thirri 10 dëshmitarë për të dhënë dëshmi, ndërsa Mbrojtësi i Viktimave thirri dy dëshmitarë, dhe Mbrojtja 10 dëshmitarë.
Procesi gjyqësor kundër Shalës nisi më 21 shkurt 2023. Shala është deklaruar i pafajshëm për katër pikat e aktakuzës - ndalim arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme.
Sipas aktakuzës, Pjetër Shala dhe disa ushtarë, policë dhe roje të UÇK-së në mes 17 majit 1999 dhe 5 qershorit 1999 “morën pjesë në ndalimin arbitrar, trajtimin mizor, torturën dhe në një rast në vrasjen e paligjshme të një të ndaluari në fabrikën e metalit në Kukës të Shqipërisë”.
Shala ishte arrestuar në mars 2021 në Belgjikë dhe ishte transferuar në paraburgim në Hagë, në prill të atij viti.