Në Luksemburg është mbajtur Konferenca e Dytë Ndërqeveritare mes Shqipërisë dhe Bashkimit Evropian (BE), duke shënuar hapjen zyrtare të negociatave për grup-kapitujt e parë, për procesin e anëtarësimit të Shqipërisë në BE.
Pas konferencës ndërvqeritare është mbajtur deklarata e përbashkët për mediat e kryeministrit të Shqipërisë Edi Rama, ministrit të Punëve të Jashtme dhe të Tregtisë të Hungarisë Peter Szijjarto, vend i të cilit mban edhe presidencën e radhës së BE-së dhe Komisarit të BE-së për Fqinjësinë dhe Zgjerimin Oliver Varhelyi.
Rama theksoi se çelja e grupkapitullit përbën një arritje të madhe qoftë për Shqipërinë edhe BE-në dhe shenjon sipas tij një gur themeli historik në rrugëtimin e përbashkët drejt ribashkimit tërësor evropian.
"Ne shqiptarët nuk mund të kemi një plan B kur vjen fjala për liri individuale, sundimin e ligjit dhe demokracinë funksionale. Historia na ka mësuar në mënyrë më të vështirë se kjo nuk të gjendet, madje të garantohet jashtë sferës së BE-së. Këto janë A, B dhe C e mënyrës së jetës evropiane. Zgjedhja e një alternative ndaj anëtarësimit të plotë në BE, do të ishte të hiqje dorë nga mënyra e jetesës që më së fundmi zgjodhëm", u shpreh Rama.
Rama shtoi se Shqipëria ka përmbushur në mënyrë absolute të gjitha parakushtet për të nisur këtë fazë të anëtarësimit dhe mbetet e palëkundur në vendosmërinë e saj për t'i përmbushur të gjitha detyrimet e ardhshme.
Kryeministri Rama u shpreh se Presidenca hungareze e Bashkimit Evropian ka luajtur një rol mjaft të rëndësishëm në këtë proces.
"Kjo energji e re për të cilën kemi nevojë do të vijë absolutisht nga hapësira e Ballkanit Perëndimor"
Ministri Szijjarto tha se bisedimet e anëtarësimit kanë nisur për t’u siguruar që Shqipëria të bëhet anëtare e BE-së sa më shpejt të jetë e mundur.
"Çështja e përshpejtimit të zgjerimit të BE drejt rajonit të Ballkanit Perëndimor ka qenë në krye të rendit të ditës së presidencës hungareze. E kuptojmë që BE-ja po humbet konkurrueshmëri, po humbet peshën e tij kur vjen fjala për politikën globale dhe ekonominë botërore. Kësisoj kuptojmë që BE ka nevojë për freski, për energji të re, për një stimul të ri. Kjo energji e re për të cilën kemi nevojë do të vijë absolutisht nga hapësira e Ballkanit Perëndimor", u shpreh Szijjarto.
Szijjarto tha se duhet të ndërmarrin hapa urgjente për të ruajtur besueshmërinë e politikës së zgjerimit.
"BE pret që Shqipëria të ndërmarrë reformat e nevojshme që të bëhet vend anëtar"
Komisari Varhelyi, duke iu drejtuar kryeministrit Rama, theksoi se Bashkimi Evropian pret që Shqipëria të ndërmarrë reformat e nevojshme që të bëhet vend anëtar.
"Është e padiskutueshme tashmë mendoj, për BE-në dhe udhëheqësit e saj që zgjerimi është mes tre përparësive kryesore. Është mes këtyre tre përparësive sepse pa zgjerimin, Evropa nuk mund të bëhet më e fortë. Na duhet zgjerimi që Bashkimi Evropian të bëhet më i fortë", theksoi Varhelyi.
Shqipëria është vend kandidat për anëtarësimin në Bashkimin Evropian që nga viti 2014. Konferenca e Parë Ndërqeveritare midis Shqipërisë dhe BE-së është mbajtur në korrik 2022.
Konferenca e Dytë Ndërqeveritare shënon hapjen zyrtare të negociatave për grupkapitujt e parë, për procesin e anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian.