Hasani-Kuleba: Plani i Zelenskyt, mundësi për arritjen e paqes / Foto: ATA / Photo: AA

Ministri për Europën dhe Punët e Jashtme i Shqipërisë, Igli Hasani, ka pritur sot në takim ministrin e Punëve të Jashtme të Ukrainës, Dmytro Kuleba, përpara samitit Ukrainë – Evropa Juglindore që mbahet sot në Tiranë.

Gjatë një konference të përbashkët për mediet, Hasani tha se Shqipëria mbështet sovranitetin, lirinë, pavarësinë dhe tërësinë territoriale të Ukrainës.

“Shqipëria dënon me forcë agresionin rus ndaj Ukrainës. Vijojmë përpjekjet për ta mbajtur Rusinë përgjegjëse për krimet e kryera në Ukrainë. Plani me 10 pika i Presidentit Zelenski është mundësia më realiste për arritjen e paqes dhe bashkë me aleatë jemi të angazhuar për realizimin e Pikës 5”, tha kryediplomati shqiptar, Hasani.

Ministri i Jashtëm ukrainas Kuleba falenderoi Shqipërinë për çdo mbështetje derisa vlerësoi kontributin e Shqipërisë në Këshillin e Sigurimit.

“Diskutuam bashkëpunimin dypalësh dhe punën në grup në nivel ndërkombëtar. Shqipëria është një mike e mirë e Ukrainës dhe këtë e ndiejmë, posaçërisht dua ta falëndroj Shqipërinë për ndërmarrjen e saj humanitare që përfshiu rehbilitimin e fëmijëve ukrainës, prindërit e të cilëve janë vrarë në luftë. Çdo mbështetje që Shqipëria ia ofron Ukrainës është e vlerësuar”, tha Ministri i Punëve të Jashtme të Ukrainës, Dmytro Kuleba.

Ministri Hasani njoftoi se brenda vitit Shqipëria do të hapë edhe ambasadën e saj në Kiev.

TRT Balkan