Hasani: Shqipëria, rol të rëndësishëm në Korridorin Jugor të Gazit.    /Foto: Igli Hasani/X

Shqipëria është një nyjë strategjike nëpërmjet Gazsjellësit Trans - Adriatik, për agjendën e gjelbër dhe forcimin e bashkëpunimit rajonal për energjinë e qëndrueshme, deklaroi ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë, Igli Hasani në Forumin Ballkanik të Budapestit të zhvilluar dje.

Kryediplomati i Shqipërisë Hasani në plaftormën X shkruan se Evropa mund të krijojë lidhje strategjike me Lindjen e Mesme, Afrikën dhe Azinë Qendrore, duke përdorur gjithashtu marrëdhëniet energjetike si mjete për të forcuar më tej lidhjet politike dhe diplomatike.

I ftuar nga homologu hungarez, Peter Szijjarto, në Forumin Ballkanik të Budapestit, kryediplomati Hasani nënvizoi kapacitetin e Shqipërisë për prodhimin e energjisë nga uji, por edhe nga dielli e era.

“Shqipëria ka një rol të rëndësishëm për të luajtur për shkak të pozicionit të saj gjeografik në Korridorin Jugor të Gazit, veçanërisht përmes Gazsjellësit Trans – Adriatik. Është një model i bazuar në diversifikimin, ku energjia shërben si katalizator për hapjen e rrugëve të duhura për tregtinë dhe diplomacinë”, tha ai.

Kryediplomati shqiptar theksoi se përfshirja e Shqipërisë në rrugët kryesore energjetike të kontinentit, i jep potencial Shqipërisë për t’u kthyer në një nyjë të rëndësishme strategjike.

“Është koha që ne, vendet e Ballkanit Perëndimor, jo vetëm të punojmë për prodhimin e energjisë brenda vendit, por edhe të bashkërendojmë strategjitë e të kthehemi në potencial kryesor të sigurisë energjitike për Evropën”, nënvizoi Ministri.

Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani, dje ishte pjesë e panelit “Siguria Energjitike, Rigjallërimi i Sigurisë” në Forumin Ballkanik të Budapestit.

TRT Balkan / agjencitë