Helez u takua me atasheun ushtarak jorezident të Maqedonisë së Veriut në BeH / Foto: AA

Ministri i Mbrojtjes i Bosnjë e Hercegovinës, Zukan Helez, së bashku me zëvendësin e tij Aleksandar Goganoviq, pritën në vizitë prezantuese atasheun ushtarak jorezident të Maqedonisë së Veriut në Bosnjë e Hercegovinë, kolonel Toni Stojanovski.

Bashkëbiseduesit diskutuan për bashkëpunimin dypalësh, shkollimin e kadetëve nga Bosnjë e Hercegovina në Maqedoninë e Veriut, aktivitetet e Forcave të Armatosura dhe Ministrisë së Mbrojtjes të Bosnjës dhe Hercegovinës, bashkëpunimin rajonal dhe shumë tema të tjera.

Helez i uroi mirëseardhje Stojanovskit, duke thënë se të dyja vendet kanë një bashkëpunim të mirë dhe të shëndetshëm.

"Kontingjenti i Forcave të Armatosura të Republikës së Maqedonisë së Veriut merr pjesë në misionin e Bashkimit Evropian në Bosnjë e Hercegovinë, Althea. Gjithashtu, vendi juaj ka marrë pjesë si partner në themelimin e Qendrës së Trajnimit për Operacionet e Mbështetjes së Paqes (PSOTC) që nga viti 2004, dhe ka dhënë një kontribut të rëndësishëm në punën e saj përmes dërgimit të instruktorëve të trajnimit, të cilët kanë qenë të angazhuar në punën e PSOTC-së, si dhe përmes dërgimit të pjesëmarrësve në kurset që realizohen në këtë qendër," tha Helez.

Koloneli Stojanovski falënderoi për mikpritjen

"Me të vërtetë është një nder dhe privilegj të kryej këtë detyrë. Qëllimi i vizitës sime është të përpiqemi të përmirësojmë dhe të ngremë në një nivel më të lartë bashkëpunimin që tashmë ekziston," tha Stojanovski.

Ai theksoi se vendet e Ballkanit Perëndimor duhet të forcojnë bashkëpunimin dypalësh, veçanërisht kur bëhet fjalë për situata krizash si përmbytjet dhe tërmetet.

Zëvendësministri Goganoviq tha se të dy vendet kanë një bashkëpunim të mirë bilateral ushtarak dhe falënderoi atasheun ushtarak Stojanovski që Maqedonia e Veriut u ofron mundësi kadetëve nga Bosnjë e Hercegovina të fitojnë njohuri në këtë vend.

Stojanovski gjithashtu u takua gjatë ditës me Shefin e Shtabit të Përbashkët të Bosnjë e Hercegovinës, gjeneral-lejtnant Gojko Knezheviq.

AA