I pari i Komitetit Ushtarak të NATO-s viziton Maqedoninë e Veriut.  / Foto: AA

Kryesuesi i Komitetit Ushtarak të NATO-s, admirali Rob Bauer, ndodhet për vizitë në Maqedoninë e Veriut, ku u prit nga Shefi i Shtabit të Përgjithshëm, Vasko Gjurçinovski.

Admirali Bauer gjatë vizitës në Shtabin e Përgjithshëm dhe në Ministrinë e Mbrojtjes u takua edhe me ministren e Mbrojtjes, Sllavjanka Petrovska.

Në konferencën e përbashkët për media pas takimeve Bauer tha se në takim është diskutuar edhe për konferencën vjetore të Komitetit Ushtarak, ku krerët e ushtrive të 31 vendeve anëtare të NATO-s do të takohen në Osllo të Norvegjisë.

Ai vuri në dukje se në konferencën vjetore do të diskutohet, ndër të tjerash, për planet për më shumë ushtarë në nivel më të lartë të gatishmërisë, zhvillimin e aftësive, si dhe më shumë stërvitje kolektive.

"NATO-ja dhe planifikimi i mbrojtjes kombëtare janë të integruara më ngushtë se kurrë më parë. Mbrojtja jonë kolektive është me të vërtetë një përpjekje kolektive dhe të kesh një mbrojtje të fortë kombëtare është një pjesë kyç e kësaj. Për fat të mirë, Maqedonia e Veriut është në rrugën e duhur për ta arritur këtë", tha Bauer.

Ai përshëndeti hapat e ndërmarrë për reformimin e ushtrisë, si dhe angazhimin për të investuar të paktën dy për qind të PBB-së në ushtri. Admirali Bauer përshëndeti gjithashtu donacionet dhe mbështetjen që Maqedonia e Veriut po i ofron Ukrainës.

Petrovska: Maqedonia e Veriut është një shtyllë e sigurisë rajonale

Ndërkaq, ministrja Petrovska tha se Maqedonia e Veriut ka dëshmuar se është aleate e përkushtuar, me kontributin e saj në forcat shumëkombëshe të NATO-s në Letoni, Bullgari dhe Rumani.

Ajo tha gjithashtu se Maqedonia e Veriut është një shtyllë e sigurisë rajonale, duke shtuar se vendi mbështet fuqishëm sigurinë e aleancës së përbashkët.

"Maqedonia e Veriut, së bashku me aleatët e saj në Vilnius, ripohoi vendosmërinë e saj për të investuar të paktën dy për qind të PBB-së në mbrojtje dhe ne po e zbatojmë këtë plotësisht. Vitin e ardhshëm, vitin 2024, dy për qind e PBB-së maqedonase do t'i ndahet mbrojtjes. Një të tretën e buxhetit të mbrojtjes tashmë po e investojmë në procesin më të madh të modernizimit dhe pajisjes së ushtrisë maqedonase deri më tani", tha Petrovska.

Ndërkohë, Shefi i Shtabit të Përgjithshëm, Vasko Gjurçinovski, deklaroi se në takim e njoftoi admiralin Bauer për proceset aktuale të Forcave të Armatosura, duke përfshirë reformat dhe transformimin e ushtrisë.

Ai shtoi se admirali Bauer, përveç takimeve me krerët shtetërorë, do të vizitojë edhe forcat speciale në kazermën "Ilinden", ndërsa gjatë qëndrimit në Maqedoninë e Veriut është paraparë të vizitojë edhe Akademinë Ushtarake "Gjeneral Mihailo Apostollski", ku do të mbajë një ligjëratë.

TRT Balkan / agjencitë