Ministrja e Financave dhe e Ekonomisë e Shqipërisë, Delina Ibrahimaj, ka deklaruar se aktiviteti lidhur me turizmin, akomodimin dhe shërbimin ushqimor ka pasur një rritje me 7,2 për qind në tremujorin e parë të vitit 2023, ndërsa sipas saj të dhënat operative për pesëmujorin tregojnë për ecuri mjaft pozitive të sektorit të turizmit.
Në një konferencë për mediat mbi treguesit ekonomikë në vend, ministrja Ibrahimaj u fokusua në rritjen ekonomike, eksportet e produkteve bujqësore, treguesit kryesore në degët e ekonomisë dhe çështje të tjera.
"Në bazë të të dhënave të fundit të INSTAT (Instituti i Statistikave i Shqipërisë), rritja ekonomike në vend rezultoi 2,72 për qind për tremujorin e parë të vitit 2023. Kjo rritje ishte në mesataren e rritjes së vendeve të rajonit. Në krahasim me vendet e Bashkimit Evropian rritja rezultoi ndjeshëm më e lartë pasi mesatarja e rritjes në vendet e BE-së ishte 1 për qind", tha ajo.
Ibrahimaj theksoi se treguesit e prodhimit në sektorin e bujqësisë ndikohen qoftë nga prodhimi i cili shkon për konsum vendas, por edhe nga prodhimi i cili shkon për eksporte.
Sipas saj, eksportet bujqësore gjatë gjithë vitit 2022, por edhe në pjesën e parë të vitit 2023 kanë rezultuar me një rritje të ndjeshme në vlerë dhe në vëllim.
"Për sa i përket degës së industrisë ajo u rrit me 1,23 për qind, ku kontributin kryesor pozitiv e dha sektori i energjisë elektrike. Energjia elektrike ka dhënë një kontribut në rritje, ndikuar nga kushtet e favorshme hidrike që kanë ndikuar në prodhimin vendas. Sektori i ndërtimit ka vijuar të japë një kontribut pozitiv me 4,5 për qind në tremujorin e parë të vitit, i cili pritet të vazhdojë të ketë këtë ndikim edhe për pjesën e mbetur të vitit", tha Ibrahimaj.
Ibrahimaj u shpreh se dega e tregtisë me shumicë, transportit dhe aktivitetit të akomodimit dhe shërbimet ushqimor gjithashtu kanë rezultuar me rritje.