Në vitet e fundit në botë, dhe veçanërisht pas luftës në Ukrainë, e cila konsiderohet si një nga eksportuesit më të mëdhenj të drithërave, ka pasur diskutime gjithnjë e më serioze për shkallën në të cilën vendet janë të varura nga importi i drithit dhe si të reduktohet varësia nga të tjerët.
Gjegjësisht, në vazhdën e luftës ruse në Ukrainë dhe rritjes së mëparshme të çmimeve të energjisë, furnizimi me ushqime po bëhet një nga çështjet kryesore për shumë vende në botë, që tani në popull quhet siguria ushqimore.
Është e rëndësishme të theksohet se dërgesat e drithit nga Ukraina e shkatërruar nga lufta vazhdojnë të ecin siç është planifikuar.
Türkiye, Kombet e Bashkuara, Rusia dhe Ukraina nënshkruan një marrëveshje më 22 korrik të vitit të kaluar në Istanbul për të rikthyer eksportet e grurit nga tri porte ukrainase të Detit të Zi që u bllokuan për shkak të pushtimit rus të Ukrainës.
Një Qendër e Përbashkët Koordinuese është krijuar në Istanbul me zyrtarë nga të tria vendet dhe OKB që monitorojnë dërgesat. Anija e parë nga porti ukrainas i Odessa lundroi më 1 gusht 2022.
Me këtë rast kemi hulumtuar gjendjen e vendeve të Ballkanit kur bëhet fjalë për importin e drithërave nga vendet e tjera dhe deri në çfarë mase ato mund të mbështeten në prodhimin vendas.
Shqipëria përgjysmoi importin e grurit
Raportimet e luftës dhe kriza që vjen si pasojë e saj kanë ndikuar edhe në jetën e konsumatorëve shqiptarë, kur vjen fjala te sigurimi i produkteve bazike.
Shifrat e INSTAT-it për vitin 2022 tregojnë se nga janari në shtator, Shqipëria ka importuar 121 mijë tonë grurë, ose gjysmën e asaj që kishte importuar gjatë periudhës së njëjtë të vitit 2021, gjegjësisht 222 mijë tonë grurë.
Ashtu si vitin e kaluar, edhe këtë vit sërish peshën kryesore të importit e mbajnë Rusia dhe Serbia. Por, në ndryshim nga 2021, këtë vit për shkak të bllokadës nga lufta, tregtarët shqiptarë kanë bërë blerje edhe nga vende, si Australia, Bullgaria dhe Spanja.
Pasiguria që prodhoi konflikti Rusi-Ukrainë në tregjet botërore detyroi qeverinë shqiptare që për herë të parë t’i shtonte skemës kombëtare të mbështetjes për bujqësinë edhe 500 milionë lekë (4.3 milionë euro) si subvencion për kultivuesit e grurit.
Kosova e “varur” nga Serbia
Pavarësisht se disa prej shteteve prej të cilave Kosova e blente grurin viteve të fundit, e pezulluan eksportin pas luftës në Ukrainë, vendi ka gjetur zgjidhje, duke e siguruar këtë produkt nga shtetet e tjera.
Sipas statistikave të Doganës së Kosovës gjatë pesë muajve të vitit 2022, Kosova ka importuar grurë në vlerë gati 12 milionë euro.
Ky import është realizuar nga shtatë shtete. Vendi prej të cilit është blerë më së shumti grurë është Serbia, prej së cilës ka importuar grurë në vlerë mbi tetë milionë euro, e pasuar nga Franca.
Shtete të tjera prej të cilave kosovarët janë furnizuar me grurë këta muaj janë edhe Kroacia, Bullgaria, Hungaria, Italia dhe Maqedonia e Veriut.
Maqedonia e Veriut rriti importin nga Rusia
Maqedonia e Veriut importon rreth një të tretën e sasisë së nevojshme për grurë, kryesisht nga Serbia. Por, prej nisjes së konfliktit vendi ka zgjeruar importet me Hungarinë, Rumaninë dhe Kroacinë. Të dhënat nga Enti Shtetëror i Statistikës tregojnë se në vitin 2022, nga janari në shtator, vlera e importeve nga Rusia është rritur ndjeshëm krahasuar me një vit më parë, ndërkohë që blerjet e mallrave në Ukrainë kanë rënë.
Në vitin 2022 Maqedonia e Veriut ka shpenzuar 250 milionë euro për importim të grurit nga Rusia, për dallim nga viti 2021, ku kishte shpenzuar 150 milionë euro.
Ndërsa nga Ukraina në vitin 2022 Maqedonia e Veriut ka importuar rreth 74 milionë euro grurë, për dallim nga viti i kaluar ku kishte shpenzuar 127 milionë euro.
Disbalans i madh i importit dhe eksportit në BeH
Mesatarisht, Bosnjë e Hercegovina importon nëntë herë më shumë drithë sesa eksporton çdo vit, dhe importon grurë më së shumti. Është një nga vendet që janë të varura nga importi i drithit.
Të dhënat e Odës së Tregtisë së Jashtme të BeH tregojnë se në vitin 2021 është importuar drithë me vlerë të përgjithshme prej 113.6 milionë euro, ndërsa vlera e eksporteve ka qenë 12.4 milionë euro.
Në periudhën e vitit 2022 janë importuar 65.4 milionë euro grurë, ose gjysma e vlerës totale të grurit të blerë nga BeH gjatë vitit 2021 jashtë vendit.
Mali i Zi është plotësisht i varur nga importet
Prodhimi i drithërave në Mal të Zi është në nivel shumë të ulët dhe mullinjtë ekzistues për prodhimin e miellit importojnë pothuajse të gjitha lëndët e para.
Edhe Mali i Zi importet më të mëdha të grurit i ka me Serbinë. Por, ndryshe nga vendet e tjera të rajonit, një tjetër partner i rëndësishëm tregtar për grurin në Malin e Zi është Franca. Referuar të dhënave zyrtare nga Monstat, Zyra e Statistikave në Malin e Zi, rreth 54.2 për qind e grurit importohet nga Franca dhe 45.6 për qind nga Serbia.
Serbia nuk e vuan krizën e grurit
Ndërkohë që vendet e tjera të rajonit e vuajnë importimin e grurit, Serbia është lider në Ballkan sa i përket eksportit të saj.
Drithërat janë me vlerë të shumëfishtë për bujqësinë dhe gjithë ekonominë e Republikës së Serbisë.
"Drithërat përbëjnë afër 39.7 për qind të vlerës së prodhimit të përgjithshëm bujqësor në Serbi”, sipas Odës së Tregtisë të Serbisë.
Vlera e eksporteve të grurit në Serbi sillet rreth 690.3 milionë euro, ndërsa vlera e importit rreth 26.8 milionë euro.