Në Hagë sot ka nisur gjykimi ndaj ish-udhëheqësve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës: Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi.
Në sallën e gjyqit ata janë deklaruar të pafajshëm për akuzat ndaj tyre. Ish-presidenti Hashim Thaçi në pyetje të gjykatësit se vallë e kupton aktakuzën pohoi një gjë të tillë, por u deklarua se është plotësisht i pafajshëm. Ish-kryeparlamentari Jakup Krasniqi tha se e ka vështirë ta kuptojë akuzën dhe mënyrën se si është përpiluar kjo akuzë. “S’kam asnjë lidhje me pikat që i lexoi prokuroria para pak kohësh. Akuzën e kuptoj, por nuk pajtoj pasi nuk mbaj asnjë përgjegjësi me atë që e flet akuza. Jam plotësisht i pafajshëm”, tha ai.
Qëndrimin e tij se është i pafajshëm e përsëriti edhe Kadri Veseli.
“Po gjithsesi, e shprehi pakënaqësinë time për një vonesë të tillë 2-vjeçare e gjysmë, megjithatë ju falënderoj, jam tërësisht i pafajshëm”, tha Veseli.
Ish-deputeti i Vetëvendosjes, Rexhep Selimi, gjithashtu përsëriti deklaratën e dhënë në fazën e mëhershme të procesit gjyqësor se është i pafajshëm për akuzat që i mveshen.
“Jam i pafajshëm për të gjitha pikat në aktakuzë”, deklaroi Selimi.
Ish-krerët e UÇK-së po akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, gjatë luftës në Kosovë në vitet 1998/99.
Ata ndodhen në qendrën e paraburgimit në Hagë prej nëntorit të vitit 2020.
Aktakuza ndaj tyre ishte konfirmuar në nëntor të vitit 2020 për t’u ndryshuar pastaj më 3 shtator 2021, 29 prill dhe 30 shtator 2022.
Ndërsa sot, derisa po mbahet seanca gjyqësore, në afërsi të objektit të Gjykatës Speciale, shqiptarë të diasporës po mbajnë protestë paqësore për të treguar mbështetjen e tyre për të akuzuarit si dhe luftën e UÇK-së.