Rreth 100 ish-punëtorë të komunës paralele në veri të Mitrovicës në Kosovë janë tubuar sot në mëngjes, në orën 07:30, para objektit komunal në veri të Mitrovicës, duke protestuar për pamundësinë e tyre për të hyrë në objekt dhe për të punuar.
Numër i shtuar i pjesëtarëve të Policisë së Kosovës vërehet para këtij objekti, ku edhe janë vendosur shiritat të cilat pamundësojnë qasjen në objekt.
“Ne sot kemi ardhur për t’u lajmëruar në punë dhe jo për të protestuar. Rreth 1.700 punëtorë kanë mbetur pa paga ndërkohë që neve askush nuk na ka informuar asgjë”, ka thënë për KosovaPress, njëri prej pjesëmarrësve në protestë.
Bëhet fjalë për objektin ditë më parë institucionet tona kanë vendosur stemën e Republikës së Kosovës, objekt ai që përdorej nga strukturat paralele.
Të premten pas një koordinimi të ngushtë në mes të institucioneve të Kosovës, janë mbyllur institucionet paralele ilegale të vetëqeverisjes lokale të serbëve të Kosovës, për të cilat Kosova thotë se kanë funksionuar nën direktiva të Serbisë duke cenuar kushtetutshmërinë dhe ligjet e Kosovës.
Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal Elbert Krasniqi bëri të ditur se me këtë rast janë mbyllur komuna paralele e Qarkut të Mitrovicës së Kosovës, komuna paralele e Mitrovicës, ajo e Zveçanit, komuna paralele e Zubin Potokut dhe komuna paralele e Leposaviqit.