Kuvendi i Kosovës ka miratuar deklaratën në mbështetje të Rezolutës së Parlamentit Evropian për sulmin terrorist serb në Banjskë në Zveçanit. Pro kësaj deklarate votuan 86 deputetë nga mazhoranca dhe opozita.
Deklaratën e prezantoi shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Besnik Tahiri. Në të, mes të tjerash, vlerësohet mbështetja e Parlamentit Evropian në lidhje me sulmit terrorist në Banjskë më 24 shtator.
“Kuvendi i Kosovës vlerëson lart të gjitha qëndrimet politike dhe mbështetjen parimore të Parlamentit Evropian në lidhje me cenimin e integritetit territorial të Kosovës nga Serbia... Mbështet fuqishëm thirrjet dhe rekomandimet e PE-së për ta mbajtur përgjegjëse ndërkombëtarisht Serbinë si subjekt i hetimit ndërkombëtar në lidhje me shpalosjen e rolit dhe përfshirjes së saj, pjesë e së cilës është evidenca që konstaton porositjen, planifikimin dhe organizimin e sulmit terrorist të 24 shtatorit 2023”, tha Tahiri.
Deklarata e miratuar në Kuvend i bashkëngjitet gjithashtu kërkesës së PE-së që sa më parë të ekstradohen në Kosovë planifikuesit e sulmit dhe cilido subjekt që e ka asistuar realizimin e këtij sulmi terrorist që ka cenuar rendin Kushtetues të Kosovës.
Kuvendi i Kosovës gjithashtu ftoi Parlamentin Evropian të marrin në shqyrtim dhe të vlerësojnë aplikimin e Kosovës për statusin e vendit kandidat.
Krahas kësaj, Kuvendi nuk miratoi rezolutën për mbështetjen urgjente financiare të Policisë së Kosovës, pasi vetëm 25 deputetë të opozitës votuan pro, kurse 59 deputetë të partisë në pushtet abstenuan.