Kandidatët për president të vendit sot e nënshkruan Kodin për Zgjedhje të Ndershme dhe Demokratike në Komisionin Shtetëror Zgjedhor të Maqedonisë.
Presidenti aktual i Maqedonisë së Veriut dhe kandidati për president i mbështetur nga LSDM-ja, Stevo Pendarovski, shprehu besimin se “kemi mjaftueshëm memorie institucionale si shtet dhe kulturë të mjaftueshme politike në mesin e të gjithë kandidatëve për të ruajtur nivelin e debatit dhe i gjithë procesi të jetë i drejtë dhe demokratik.”
Gordana Siljanovska, kandidate për kryetare të shtetit e mbështetur nga VMRO-DPMNE-ja, nënshkrimin e kodit e vlerësoi si akt ceremonial dhe iluzionizëm normativ e moral, por tregoi se do të flasë personalisht me argumente dhe program dhe do t’i respektojë të gjithë kandidatët.
Kandidati për president nga radhët e GROM-it, Stevço Jakimovski, tha se do ta respektojë Kodin, por nuk do ta nënshkruajë nëse KShZ-ja nuk garanton se do të organizojë debate, duke theksuar se kandidatë të caktuar janë maksimalisht të favorizuar dhe se mjetet e fushatës nuk janë shpërndarë në mënyrë të barabartë.
Bujar Osmani, kandidat për kryetar nga radhët e BDI-së, tha se do të qëndrojë për një fushatë pozitive, duke thënë se po bëhet më shumë moral politik për fjalët e dhëna para qytetarëve, se do të kenë qasje korrekte në këto zgjedhje të rëndësishme për vendin tonë.
Biljana Vankovska, kandidate për presidente të shtetit e mbështetur nga E Majta, theksoi se do ta nënshkruajë Kodin, por nuk beson në këtë, siç tha ajo, një copë letre boshe dhe kërkoi që televizionet të organizojnë debate me të gjithë kandidatët për president.
Kandidati për kryetar të shtetit i mbështetur nga opozita e bashkuar nga blloku politik shqiptar, Arben Taravari, shprehu shpresën se këto zgjedhje do të jenë zgjedhjet më të drejta dhe më demokratike të ndonjëherë.
Maksim Dimitrievski, kandidat për president i nominuar nga Lëvizja ZNAM, tha se do të pranojë të gjitha paraqitjet publike me të gjithë kandidatët për president dhe uroi që në këto zgjedhje të dyfishta të fitojë demokracia.
Përmbajtjen e Kodit e lexoi nënkryetarja e KShZ-së, Ditmire Shehu, e cila theksoi se do të angazhohen që të gjithë pjesëmarrësit t’i respektojnë të gjitha ligjet, të mos përdorin gjuhën e urrejtjes dhe të zhvillohen me sukses zgjedhje të ndershme dhe demokratike.