Kërcënimet për bomba në Maqedoni të Veriut me IP-adresa nga Irani dhe Rusia.     /Foto: AA

Nga 19 tetori i vitit 2022 e deri më sot në Maqedoninë e Veriut janë përfshirë mbi 520 objekte me paralajmërime të rreme për bomba.

Ministri i Punëve të Brendshme të Maqedonisë së Veriut, Oliver Spasovski, së fundmi deklaroi se bëhet fjalë për një sulm hibrid intensiv që po ndodh në gjithë vendin, gjatë të cilit janë prekur edhe shkollat, por jo vetëm.

“Janë zgjidhur disa raste. Tani kemi një grup të izoluar dhe po punohet për rastin. Nuk po flasim për kërcënime që ndodhin vetëm në vendin tonë, por të njëjtat po përballen edhe vendet e rajonit. Ditët e fundit janë dërguar email nga adresat në Iran dhe Rusi dhe pagesat në shërbimet VPN bëhen me kriptovaluta, gjë që e vështirëson gjetjen e tyre”, tha Spasovski.

Ai shton se udhëzimet e reja bëjnë vlerësimin e rrezikut, ndaj do të merren masa që tash e tutje, por pa prishur procesin edukativo-arsimor në shkolla.

Spasovski theksoi se është krijuar një ekip operativ nga institucione të ndryshme që marrin pjesë me ekspertët e tyre dhe janë në kërkim të zgjidhjeve të duhura për të gjetur një qasje të ndryshme ndaj kërcënimeve elektronike, duke theksuar gjithashtu se është miratuar një udhëzues i ri për veprim dhe nga e premtja shkollat ​​janë duke funksionuar sipas atij udhëzimi.


TRT Balkan / agjencitë