Brenda kampit të Misionit të NATO-s në Kosovë – KFOR-i në Novosellë është zhvilluar stërvitja “Shpata e Artë 2023”, aktivitet me synim testimin e procedurave dhe gatishmërisë për dislokim të shpejtë të forcave për përballimin e çdo skenari të mundshëm krize.
Siç njofton KFOR-i, aktiviteti është zhvilluar për të testuar procedurat ndërmjet njësive të ndryshme shumëkombëshe që përbëjnë KFOR-in, të angazhuara për t’iu përgjigjur injektimeve të ndryshme të simuluara.
“Në bashkëpunim të ngushtë me njësitë e EULEX-it (Misioni i Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë) janë vendosur ekipet e turmave dhe të kontrollit të trazirave, me mjete për heqjen e postblloqeve si dhe me mjete inxhinierike të cilat shërbejnë për pastrimin e mjeteve shpërthyese”, thuhet në njoftim.
Tutje, KFOR-i bën të ditur se nëpërmjet këtij lloj trajnimi mban nivele të larta të gatishmërisë së njësive të saj duke vlerësuar masat e koordinimit të komandantëve të ndryshëm në nivele të ndryshme dhe duke përmirësuar dhe standardizuar procedurat e komandës dhe kontrollit.
Kontingjenti shumëkombësh i KFOR-it vepron në territorin e Kosovës nën mandatin e Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së të vitit 1999 me detyrën e sigurimit të një mjedisi të sigurt dhe siguron lirinë e lëvizjes për të gjitha komunitetet në Kosovë.