KFOR-it pritet t'i shtohet forca shtesë nga Sllovenia   Foto: Reuters Archive

Sllovenia planifikon të rrisë numrin e ushtarëve të vendosur në misionin e KFOR-it në Kosovë, tha ministri slloven i Mbrojtjes Marjan Sharec, i cili së fundmi vizitoi trupat dhe bisedoi me komandantin e KFOR-it, gjeneralmajor Angelo Michele Ristuccia.

Situata në Kosovë do të ishte shumë e vështirë pa praninë e KFOR-it, e Ministria ka shqyrtuar mundësitë e rritjes së pjesëmarrjes së Sllovenisë në mision, tha ai, raportoi STA.

Sharec tha se është e vështirë të flitet për shifra të sakta sepse pesë për qind e trupave sllovenë aktivë aktualisht janë të vendosur jashtë vendit, duke përfshirë 91 në Kosovë.

Ministria e Mbrojtjes njoftoi se prania sllovene do të përforcohet pjesërisht nga ekspertë civilë dhe me vendosjen e një helikopteri ushtarak në gatishmëri për Kosovë.

Kontributi i Sllovenisë për Kosovën është shumë i vlefshëm sepse trupat sllovenë i njohin të dyja kombet dhe e njohin mirë situatën, beson Sharec.

Sharec tha se nuk është sekret se Rusia ka interesa në Ballkanin Perëndimor dhe se sigurisht që shfrytëzon çdo vakuum të krijuar nga mungesa e Evropës dhe e NATO-s.

Prania në atë territor është në interesin strategjik të Sllovenisë jo vetëm për të ruajtur paqen dhe stabilitetin, por edhe, siç tha ai, "që këto vende të përparojnë përfundimisht".

Ndryshe, misioni i KFOR-it i udhëhequr nga NATO-ja përbëhet nga më shumë se 3.700 trupa nga 27 vende – duke përfshirë aleatët e NATO-s dhe partnerët e angazhuar për të ofruar një mjedis të sigurt dhe lirinë e lëvizjes për të gjitha komunitetet në Kosovë, në përputhje me mandatin e bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së të vitit 1999.

TRT Balkan / agjencitë