Duke folur për të arriturat e Ministrisë së Mbrojtjes së Kosovës, ministri Maqedonci tha se janë rekrutuar 627 ushtarë të rinj, ndërsa në gati tre vjet të mandatit të kësaj Qeverie janë regjistruar 1 mijë e 836 ushtarë të rinj.
Ministria e Mbrojtjes e Kosovës ka shënuar progres gjatë vitit 2023 në të gjitha fushat, nga buxheti, rritja e investimeve në armatim, rritja e numrit të ushtarëve dhe rritja e pagave, njoftoi ministri kosovar i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci në konferencën përmbyllëse vjetore për medie.
Ministri Maqedonci tha se qëllimet strategjike të Republikës së Kosovës janë integrimi në strukturat euroatlantike, në radhë të parë në Partneritetin për Paqe i NATO-s, ndërsa shtoi se institucionet e sigurisë së Kosovës janë në koordinim të vazhdueshëm me KFOR-in, NATO-n dhe partnerët, në mënyrë që të zvogëlohet rreziku i kërcënimeve që vijnë nga Serbia.
"Vetë prezenca e tri nga katër brigadat e ushtrisë së Serbisë janë të dislokuara në jug të Serbisë, paraqet kërcënim dhe militarizim të zonës jugore të Serbisë dhe rrjedhimisht edhe zonës kufitare ndërmjet Serbisë dhe Republikës së Kosovës. Pra, prezenca ushtarake normalisht paraqet kërcënim për vendin tonë dhe kjo është pasojë e bazamentit të rrezikut dhe është qasje hegjemoniste dhe agresive e Serbisë në raport me vendin tonë", tha ministri Maqedonci.
Duke folur për të arriturat e ministrisë së tij gjatë vitit 2023, ministri Maqedonci tha se janë rekrutuar 627 ushtarë të rinj, ndërsa në gati tre vjet të mandatit të kësaj Qeverie janë regjistruar 1 mijë e 836 ushtarë të rinj, duke dyfishuar numrin e përgjithshëm të ushtarëve.
Ai po ashtu ka theksuar se pagat, veçanërisht për anëtarët me grada më të ulëta, janë rritur për 39 për qind. Ministri tha se gjatë këtij viti janë trajnuar 580 pjesëtarë jashtë vendit, ndërsa 62 kandidatë të FSK-së janë duke u trajnuar në akademitë prestigjioze ushtarake në vendet partnere.
"Arritje shumë e veçantë është investimi në sistemet e armatimit, me një buxhet që ka shënuar rritje mbi 100 për qind në raport me vitin 2022. Është investuar 28 për qind më shumë në blerjen e armatimit gjatë këtij viti, apo afërsisht 4 milionë që janë investuar në qeveritë e mëparshme në sistemet e armatimit, shuma ka arritur në 239 milionë euro investime në sistemin e armatimit. Sigurisht, dronët Bayraktar janë vetëm një nga llojet e shumta të sistemeve moderne të armatimit me të cilat është pajisur Forca e Sigurisë së Kosovës", theksoi tha Maqedonci.
Ai shtoi se investimi në armatim mbështet zhvillimin në përputhje me planin gjithëpërfshirës të tranzicionit të FSK-së.
Duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve, ministri Maqedonci theksoi se masat e marra nga Bashkimi Evropian në Kosovë për shkak të situatës në veri të Kosovës nuk kanë ndikuar në forcat e FSK-së dhe pjesëmarrjen e tyre në stërvitjet ndërkombëtare ushtarake me vendet partnere.