Krerët e institucioneve të Kosovës, presidentja Vjosa Osmani, kryetari i Kuvendit Glauk Konjufca dhe kryeministri Albin Kurti kanë kërkuar drejtësi për masakrën e Reçakut. Liderët e shtetit, të shoqëruar edhe nga ish-ambasadori i OSBE-së në kohën e luftës, William Walker, pasi bënë homazhe në shënim të 25-vjetorit të masakrës së Reçakut, akuzuan Serbinë për gjenocid në Kosovë.
Presidentja Vjosa Osmani tha se drejtësia i jep kuptim paqes dhe lirisë, andaj e njëjta është e domosdoshme edhe për pajtim.
“Drejtësia është ajo që i jep kuptim paqes. Drejtësia është ajo që i jep kuptim lirisë dhe drejtësia është e domosdoshme për pajtim… Regjimi i sotëm i Vuçiqit, që është vazhdimësi e regjimit të Millosheviqit, jo vetëm që e mohon masakrën e Reçakut, por i arreston dhe torturon ata të cilët vendosin lule mbi varret e fëmijëve të vrarë gjatë luftës”, tha ajo.
Në anën tjetër, kryeministri Albin Kurti falënderoi ish-ambasadorin e misionit të OSBE-së në Kosovë, William Walker, i cili i tregoi botës për masakrën e Reçakut.
Ai shtoi se Walkeri vazhdon të jetë ndërkombëtari më i sulmuar dhe i urryer në Serbi, pasi e foli të vërtetën mbi masakrën dhe krimin kundër njerëzimit të kryer nga Serbia.
“Masakra e Reçakut këtu e 25 vjet më parë, kur u vranë 45 civilë shqiptarë e tronditi si opinionin publik ndërkombëtar dhe diplomacinë botërore. E bëri të domosdoshme ndërhyrjen ushtarake të NATO-s për ta ndalur gjenocidin e Serbisë në Kosovë. Kur ndodhi masakra e Reçakut, ambasadori William Walker si udhëheqës i OSBE-së në Kosovë erdhi këtu te fshatarët dhe foli të vërtetën. Tha kjo është masakër dhe krim kundër njerëzimit. Dihet se e vërteta është armiku më i madh i diktatorëve dhe shovinistëve”, theksoi kryeministri Kurti.
Kurse, ish-shefi i Misionit Verifikues për Kosovën, William Walker, tha se nga sakrifica e shumë djemve të Reçakut, Kosova sot gëzon një demokraci plotësisht funksionale.
Në shënim të 25-vjetorit të masakrës së Reçakut, homazhe bënë edhe krerë opozitarë në Kosovë si dhe qytetarë të shumtë.