Kosova kremton 28 Nëntorin / Photo: AA

Qytetarë të Kosovës po kremtojnë festën kombëtare të 28 Nëntorit në sheshet e stolisura me flamuj kombëtarë kuq e zi dhe ata shtetërorë.

Në këtë ditë e cila nuk është festë zyrtare në kalendarin vjetor të institucioneve, por nuk punohet, burra, gra dhe fëmijë po shijojnë diellin e kësaj dite, të veshur me simbole kombëtare duke bërë fotografi dhe duke dëgjuar këngë patriotike.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, tha se 28 Nëntori nuk është vetëm simbol i betejave dhe triumfeve, por edhe kujtim i sakrificave për të qenë të lirë, në paqe dhe krenarë.

"28 Nëntori është simbiozë e tri momenteve historike që e lartësojnë kombin tonë: ngritja e flamurit në Vlorë dhe shpallja e pavarësisë së Shqipërisë, dalja publike e UÇK-së dhe ditëlindja e komandantit legjendar Adem Jashari", theksoi Osmani.

Ajo bëri thirrje se këtë festë duhet festuar "të bashkuar në zemër e shpirt".

Ndërkaq, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tha se ky 28 Nëntor e gjen vendin me projektin e Kompleksit Memorial "Adem Jashari" në Prekaz.

Ai tha se Prekazi ruan gjurmët e veprës heroike të Familjes Jashari, ku njerëzit kthehen e rikthehen që të kujtojnë çmimin e lirisë së sotme.

"Nuk do të kursejmë asgjë për të ndërtuar një kompleks memorial të rëndësishëm ndërkombëtarisht, i cili do të pasqyrojë dinjitetshëm dhe me një nivel të lartë artistik, qëndresën dhe luftën e popullit për liri, pavarësi dhe bashkim, ashtu siç e meriton figura e Adem Jasharit dhe e Familjes Jashari. Gëzuar 28 Nëntori!", shkroi Kurti.

Në këtë datë, institucionet shtetërore dhe shkollat në Kosovë janë në ditë pushimi.

Shumë qytetarë po ashtu gjatë ditës shkojnë për vizitë në Prekaz, në vendlindjen e komandantit legjendar Adem Jashari, për homazhe.

AA