Në Komunën e Leposaviqit, komunë me shumicë të minoritetit serb në veri të vendit, është hapur dega e Bankës Ekonomike.
Në hapjen e kësaj i pranishëm ishte kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, kryetari i Komunës së Leposaviqit, Lulzim Hetemi, si dhe përfaqësues tjerë të institucioneve dhe qytetarë.
Kryeministri Kurti tha se dega më e re e Bankës Ekonomike do t'i ofrojë të gjitha shërbimet që janë të hapura për qytetarët dhe për bizneset, sikurse kryerja e pagesave, transferet dhe kreditimi.
“Në këtë mënyrë ka mundësi që gjithçka të kryhet në mënyrë legale dhe transparente në përputhje me ligjin, me kushtetutshmërinë dhe me rregullat e të bërit biznes, të financave dhe të bankimit në Republikën tonë”, tha Kurti.
Kurti shprehu falënderime për kreun e komunës, Hetemin, si dhe për drejtuesit e Bankës Ekonomike, Shpend Luzha dhe Rrahim Pacolli, të cilët në muajt e fundit, siç tha ai, kanë punuar për realizimin me efikasitet dhe shpejtësi të degës së re që do të ofrojë "shërbime tejet të rëndësishme për qytetarët pa dallim dhe me investime të teknologjisë së fundit".
Ndërkaq, Luzha, kryeshef ekzekutiv i Bankës Ekonomike, u shpreh i lumtur me rastin e hapjes së degës së 33-të të Bankës Ekonomike, e cila sipas tij do t’u mundësojë të gjithë qytetarëve të Komunës së Leposaviqit qasje më të lehtë në financa nëpërmjet prezencës fizike.