Kosovë, diplomon gjenerata e 61-të e policisë. / Foto: AA

Me një ceremoni të lartë shtetërore, në Prishtinë ka diplomuar gjenerata e 61-të e Policisë së Kosovës.

Pjesëmarrës në këtë ceremoni ishin udhëheqës të institucioneve të larta, përfaqësues nga Ministria e Brendshme, eprorë nga Policia e Kosovës dhe shumë familjarë të kadetëve që diplomuan në këtë ditë.

Ceremonia filloi me marshin e 462 policëve të rinj në sallën “1 Tetori”.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, tha se rendi dhe siguria janë themeli i një sigurie të suksesshme.

Osmani tha se Policia kujdeset për sigurinë edhe kur të tjerët pushojnë, por edhe në situatat më të rënda sakrifica dhe përkushtimi tyre janë të pashoqe.

“Policia është shtylla e parë e rendit dhe garantuesja e lirisë dhe sigurisë për secilin qytetar pavarësisht përkatësisë. Me diplomimin e gjeneratës së 61-të, ky institucion fuqizohet edhe më shumë duke u pasuruar me një brez të ri që sjell më shumë energji, përkushtim dhe një ndjenjë të thellë të përgjegjësisë ndaj atdheut”, theksoi Osmani.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, theksoi se ka shumë mënyra për t’i shërbyer vendit, por nuk ka rrugë më të drejtpërdrejtë se sa ta veshësh uniformën policore dhe t’u përgjigjesh nevojave dhe thirrjeve të përditshme të qytetarëve.

Kurti tha se në diplomimin e kësaj gjenerate, 406 janë djem dhe burra, ndërsa 56 vajza dhe gra, derisa ata vijnë nga komunitete të ndryshme.

“Nga kjo gjeneratë, 343 janë shqiptarë, 79 janë serbë, 23 boshnjakë, 6 turq, 6 egjiptianë, 3 ashkali dhe 2 pjesëtarë janë romë. Kjo larushi etnike, përveçse reflekton barazi në qasje dhe mundësi ndaj secilit në shoqërinë tonë, shpërfaq edhe suksesin e integrimit të komuniteteve joshumicë në institucionet e Kosovës, deri këtu, në institucionet e sigurisë”, theksoi Kurti.

Në këtë ceremoni u bë ndarja e certifikatave për pranimin e detyrës së re, si dhe u realizua betimi nga të gjithë të diplomuarit e kësaj gjenerate.

TRT Balkan / agjencitë