Kosovë, dy barrikada të reja janë vendosur në veri gjatë orëve të fundit. / Photo: AA

Serbët lokalë në veri të Kosovës kanë vendosur dy barrikada të reja në rrugë, pavarësisht thirrjeve të Bashkimit Evropian dhe Misionit të NATO-s në Kosovë (KFOR) që barrikadat që po pengojnë lirinë e lëvizjes në territorin e Kosovës të largohen.

Policia e Kosovës, nëpërmjet një njoftimi zyrtar, ka bërë të ditur se barrikadat janë vendosur gjatë natës nga persona/grupe kriminale, njëra në Mitrovicë dhe tjetra në Zveçan.

"Referuar informacioneve zyrtare janë vendosur edhe dy barrikada me mjete të rënda. Njëra prej barrikadave është vendosur në udhëkryqin te shkolla teknike, ndërsa tjetra është vendosur te vendi i quajtur Kershi i Dudes", njoftoi Policia.

Lokacioni i udhëkryqit te shkolla teknike gjendet në afërsi të Lagjes së Boshnjakëve në Mitrovicë, që është një vendbanim multietnik, ku jetojnë shqiptarë, serbë e boshnjakë dhe rruga ku është vendosur barrikada tjetër është një prej rrugëve që lidh pjesën veriore të Mitrovicës me shumicë serbe, me atë të jugut të banuar me shqiptarë.

Ndërkaq, barrikada e vendosur te Kershi i Dudes pamundëson lëvizjen nga Mitrovica e Jugut në drejtim të Rudarës, Komuna e Zveçanit.

Barrikadat në veri të vendit u vendosën nga 10 dhjetori nga serbët lokalë si përgjigje ndaj arrestimit të ish-policit Dejan Pantiq nga autoritetet e rendit në Kosovë, të cilit i është shqiptuar masa e paraburgimit prej një muaji.

Krerë të institucioneve të larta në Kosovë dhe përfaqësues të vendeve perëndimore kanë bërë thirrje për largimin e barrikadave në veri të vendit për të mundësuar lëvizjen e lirë, por një gjë e tillë ende nuk ka ndodhur.

TRT Balkan / agjencitë