Kosovë, mbahet akademi përkujtimore për 26-vjetorin e Masakrës së Reçakut / Photo: AA

Krerë të institucioneve të larta bashkë me qytetarë të shumtë kanë marrë pjesë në Akademinë Përkujtimore me rastin e shënimit të 26-vjetorit të Masakrës së Reçakut, në Komunën e Shtimes.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se në Serbi ende po vazhdon mendësia e viteve ‘90, mendësi kjo që shkaktoi mbi 100 mijë viktima civile në Ballkan.

Presidentja kosovare tha se në kohën kur njerëzit në Reçak masakroheshin, në Serbi propagandën për arsyetimin e masakrave “e bënte ministri për Informacionin, me emrin Aleksandar Vuçiq”.

“Sot po i njëjti, nën petkun e presidentit të Serbisë, vazhdon ta mohojë Masakrën e Reçakut. E mohon atë që bota e pa me sytë e vetë, e quan Millosheviqin njeri të madh me qëllime të mira. Si propagandues që është, në njërën anë flet për paqe e në anën tjetër dërgon forcat e veta paramilitare terroriste për ta sulmuar Kosovën. Por, sikurse në vitet ‘90, njësoj edhe sot, Kosova ka djem dhe vajza që i dalin zot atdheut dhe e mbrojnë çdo pëllëmbë të tij”, ka thënë Osmani.

Osmani ka deklaruar se Reçaku është dëshmi e vuajtjeve të gjata të popullit që kërkonte dhe luftonte për liri dhe për të drejtën për ekzistencë.

“Pamjet e masakrës tronditën botën dhe e prekën ndërgjegjen ndërkombëtare, krejt kjo në saje të mikut tonë të madh ambasadorit William Walker, që me guximin e përkushtimin i dha zë të vërtetës së pamohueshme të vuajtjeve të popullit tonë”, shtoi Osmani.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se Beogradi ende po i mban të mbyllura arkivat e luftës në Kosovë.

Sipas tij, krimet e kryera gjatë luftës nuk ka qenë e thënë të ndodhin, nuk është dashur të ndodhin, por, ajo që duhet të ndodhë është drejtësia, gjykimi dhe ndëshkimi i kriminelëve, qoftë edhe në mungesë.

“Në vitet 1998 dhe 1999, thuhej se përfundoi beteja, por jo edhe lufta. Në raport me Serbinë, tash duhet të thuhet e kundërta, ka përfunduar lufta, por jo edhe beteja. Ka mbaruar lufta për çlirim, por jo edhe beteja për drejtësi”, u shpreh Kurti.

Në përkujtim të 45 civilëve të vrarë nga forcat e armatosura serbe, kryeministri Kurti potencoi se ndodhen aty për të mos harruar kurrë masakrën e 15 janarit të vitit 1999, si dhe për ta përforcuar kujtesën për Masakrën e Reçakut.

Ai tha se qeveria ka themeluar Grupin Punues për ta hartuar detyrën projektuese për kompleksin memorial, si dhe ka miratuar shpronësime të pronave, për përkujtim të dinjitetshëm të Masakrës së Reçakut.

Kurti konsideroi se ish-ambasadori i OSBE-së, William Walker, i cili qëndroi në Reçak pas masakrës, u bë zë i fuqishëm për të vërtetën dhe drejtësinë dhe atë kohë deklaratat e ambasadorit Walker ishin denoncime zyrtare në emër të Misionit Verifikues të OSBE-së, ndaj forcave dhe autoriteteve serbe që po kryenin krime kundër njerëzimit dhe krime lufte ndaj shqiptarëve civilë në Kosovë.

Ndërkaq, vet Walker, i cili sensibilizoi opinion ndërkombëtar për Masakrën e Reçakut, tha se nuk ka qenë e vështirë për të që të deklarojë atë që pa në Reçak.

Walker tha se i tregoi botës se çka pa dhe kush mendonte se ishte përgjegjës për masakrën.

Në këtë akademi përkujtimore të pranishëm ishin edhe deputetë nga Kuvendi i Kosovës dhe deputetë nga Republika Federale Gjermane, përfaqësues të institucioneve vendore, ambasadorë e përfaqësues të tjerë diplomatikë, si dhe veteranë e invalidë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe përfaqësues të shoqatave të dala nga lufta çlirimtare e Kosovës.

AA