Kosovë: Në 3 vjet, vetëm 0.68% dënime për armëmbajtje pa leje / Photo: AA

Vetëm 0,68 për qind është dënueshmëria me burg për armëmbajtje pa leje në Kosovë në tre vitet e fundit

Kështu u bë e ditur nga një raport-analizë e Institutit të Kosovës për Drejtësi (IKD) me titull "Dënimet me gjobë - ‘Leje’ për armëmbajtje".

IKD ka analizuar 147 aktgjykime të 7 Gjykatave Themelore në Republikën e Kosovës dhe 46 aktgjykime të gjykatës së Apelit në tre vitet e fundit 2022-2024.

Gjatë publikimit të të dhënave të këtij raporti u tha se çështja e armëmbajtjeve pa leje konsiderohet shqetësuese, ngase derisa ligji ka përcaktuar dënime të larta kundër këtyre veprave, në praktikë nuk rezulton e njëjta.

Autorja e këtij raporti, Zamira Krasniqi tha se dënimet për armëmbajtje pa leje gjatë periudhës tre vjeçare kanë qenë kryesisht me gjobë dhe vetëm një rast është dënuar me burgim.

"Për më tepër nga 147 raste, në vetëm një rast është shqiptuar dënim me burgim. Konkretisht në 147 raste të armëmbajtjes pa leje janë shqiptuar 128 dënime me gjobë, 18 dënime me kusht ndërsa vetëm në një rast dënim me burgim. Shprehur me përqindje i bie se vetëm 0,68 për qind të rasteve është shqiptuar dënim me burgim për rastet e armëmbajtjes pa leje", tha Krasniqi.

"Për kundër faktit që Kodi Penal i Republikës së Kosovës, dënueshmërinë me gjobë e parasheh të jetë deri në 7 mijë e 500 euro, mesatarja në tre vitet e fundit del të jetë më e ulët se 1 mijë euro", thekson Krasniqi.

Konkretisht, raporti zbulon se në vitin 2022 kjo mesatare ishte 623 euro, kurse në vitin 2023 ishte 601 euro. Ndërkaq, mesatarja është më e madhe në vitin 2024 me 857 euro.

AA