Kosovë, nis zbatimi i programit për edukimin në moshë të hershme /            Foto: AA

Është bërë lansimi i pilotimit të Programit të Kuponëve, në kuadër të Projektit "Edukimi dhe Kujdesi në Fëmijërinë e Hershme për Kapitalin Njerëzor të Kosovës".

Në lansimin e këtij programi i cili ka për qëllim të nxisë sa më shumë pjesëmarrjen e fëmijëve për edukimin e hershëm, mori pjesë kryeministri i Kosovës Albin Kurti dhe ministrja e Arsimit, e Shkencës dhe e Teknologjisë, Arbërie Nagavci.

Kryeministri Kurti tha se programi i kuponëve ka rëndësi sepse pjesëmarrja në edukimin e hershëm u ofron fëmijëve mundësi më të mëdha për zhvillim kognitiv, social, emocional dhe fizik. Ai theksoi se përfshirja më e madhe e fëmijëve në edukim krijon hapësira të shtuara për punësimin dhe zhvillimin profesional të prindërve, posaçërisht të nënave, duke shërbyer si faktor rritje e qëndrueshmërie ekonomike.

"Hulumtimet shkencore kanë treguar se edukimi i hershëm, rezulton me individë të suksesshëm. Sepse, ndihmon në krijimin e një baze të fortë për sukses akademik dhe për mësim dhe avancim tërëjetësor. Jo rastësisht edukimi në fëmijërinë e hershme është i pari nga pesë fushat prioritare në strategjinë e arsimit në Kosovë 2022-2026, po ashtu miratuar gjatë këtij mandati tonë qeverisës", tha Kurti.

Ministrja Nagavci tha se projekti i kuponëve pritet të zgjasë deri në vitin 2027.

"Në kuadër të programit të kuponëve, do të mbështeten familjet të cilat janë pjesë e skemave të asistencës sociale duke i ndihmuar ato që më së shumti kanë nevojë për këto shërbime. Mbështetja do të ofrohet mbi bazën e performancës së institucioneve të edukimit të hershëm, duke siguruar korrektësi dhe cilësi. Do të krijohen hapësira që kryesisht nënat e reja të mund të punojnë, duke mundësuar zhvillimin profesional të tyre", theksoi Nagavci.

Ajo theksoi se programi pritet ta përmirësojnë qasjen e pabarabartë në shërbimet e arsimit dhe kujdesit në fëmijërinë e hershme, për fëmijët me status të ulët ekonomik, fëmijët me nevoja të veçanta dhe fëmijët e komuniteteve rom, egjiptian dhe ashkali.

Nagavci u bëri thirrje institucioneve private parashkollore të aplikojnë në për këtë program në faqen elektronike shtetërore E-Kosova, derisa bëri të ditur se pilotimi i këtij projekti do të fillojë në Prishtinë, Lipjan, Gjilan dhe Prizren.

Në bazë të statistikave nga autoritetet kosovare, janë 4.469 fëmijë të moshës 3-5 vjet nga familje që marrin ndihmë sociale në kuadër të skemës së ndihmës sociale dhe vetëm 104 prej tyre ndjekin arsimin parashkollor publik.

Kosova ka miratuar më 4 korrik të vitit 2023, Ligjin për Edukimin në Fëmijëri të Hershme, me qëllim të ofrimit të edukimit cilësor dhe gjithëpërfshirës në të gjitha format e organizimit të kujdesit dhe edukimit për fëmijët nga lindja deri në moshën 6-vjeç.

AA