Kosovë, presidentja Osmani dekoron familjen Jashari.             Foto: AA

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në një ceremoni të veçantë ka ndarë Dekorata Presidenciale, për personalitete të shquara vendore dhe ndërkombëtare të cilët kontribuan për lirinë e Kosovës dhe ata që vazhdojnë ta ndihmojnë ecjen e shtetit përpara.

Në fjalën e saj në këtë ceremoni të mbajtur me rastin e përvjetorit të 17-të të pavarësisë së Kosovës, Osmani tha se kujtojnë dhe nderojnë ata që dhanë gjithçka për lirinë e vendit, ashtu siç është familja Jashari.

Osmani tha se në historinë e njerëzimit shumë rrallë ka ndodhur që një familje e tërë të flijohet për idealin e shenjtë të lirisë duke u bërë simbol i qendresës dhe i dinjitetit kombëtar.

"Sot titullin Hero do t'ia ndajmë Shaban Jasharit. Atij që inspiroi familjen dhe djemtë e tij. Kryefamiljarit të familjes Jashari e do të thosha kryefamiljarit të gjithë familjes së madhe të quajtur Kosovë. Por, deri më sot, përveç bacë Shabanit, Ademit e Hamzës, familja Jashari si emblem e lirisë dhe simbol i sakrificës sublime nuk ishte dekoruar në tërësi, për heroizmin, sakrificën dhe qendresën e saj të pashembullt", theksoi Osmani, e cila pas fjalës së saj i dha familjes Jashari dekoratë presidenciale si një akt që synon plotësimin e kësaj mungese, dekoratë të cilën e pranoi Bekim Jashari.

Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, i cili po qëndron në Kosovë për nder të 17-vjetorit të pavarësisë së Kosovës, tha se historia shqiptarëve është një histori krenarie ku as pushtimet, as padrejtësitë as diktaturat dhe as gjenocidi nuk e thyen kurrë ndërgjegjen kombëtare.

Ai përmendi dëshmorët e shumë viseve të Shqipërisë të cilët ranë dëshmorë në luftën e Kosovës.

"Ata nuk pyetën për rreziqet: vepruan. Sepse, ndihma për vëllain është zgjedhje e natyrshme. Ata u përgjigjen siç u është përgjigjur gjithmonë Shqipëria Kosovës dhe Kosova thirrjes së Shqipërisë. Asokohe, ata u bënë ura në mes të një ëndërre dhe realitetit të sotshëm", theksoi Begaj.

Disa nga dëshmorët e dekoruar post-mortum në këtë ceremoni ishin edhe Fehmi e Xhevë Lladrovci, dëshmorë e luftës së Kosovës nga trevat e Shqipërisë, sikurse Indrit Cara, si dhe dhjetëra personalitete të cilët kontribuan për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.

TRT Balkan / agjencitë