Kosovë, protesta kundër dhunës ndaj të moshuarve.     Foto: Facebook

Qytetarë të shumtë u mblodhën sot në qytetin e Gjakovës për të protestuar pas sulmit që ndodhi ndaj të moshuarës në Qendrën e përkujdesjes ndaj të moshuarve “Orenda”, në Pejë. Protestuesit kërkuan dënim maksimal për kryerëset e kësaj vepre dhe po ashtu mbylljen e qendrës “Orenda”.

Krahas pankartave të shumta me mbishkrime në përkrahje të të moshuarve, në pemët e sheshit të Gjakovës ishte vendosur edhe forografia e Aurona Pelaj e cila kishte sulmuar fizikisht të moshuarën.

Kjo protestë u organizua nga Shoqata “Krimet e Luftës Gjakova ’98-99” dhe Bashkimi i Femrave Gjakovare.

Krahas shumë qytetarëve kësaj proteste iu bashkuan edhe vajza e së moshuarës, Zhaneta Nura-Vala bashkë me vëllain e saj Milotin i cili kishte ardhur tashmë nga Belgjika.

Vajza e së moshuarës u shpreh se kishte parë disa lëndime për të cilat kishte menduar se janë shkaktuar nga pakujdesia e saj.

Por, ajo shtoi se nuk ka besuar që mund të ushtrohet dhunë ndaj nënës së saj.
Nura kërkoi dënim maksimal ndaj personave që akuzohen për këtë sulm.

Zhaneta Nura tregoi se gjendja e nënës së saj, ndaj së cilës u ushtrua dhunë fizike, është mirë dhe po qëndron pranë familjarëve.

Kryetarja e Shoqatës “Krimet e Luftës Gjakova ’98-99”, Shkendije Hoda, u shpreh se nuk e kanë pritur që vajzat shqiptare të ushtrojnë dhunë fizike ndaj një nëne, e aq më pak që është nënë e dëshmorit.

“Para këtij akti jemi pothuajse të dorëzuar sepse ne nuk e kemi pritur që motrat tona shqiptare ta përdorin një dhunë një abuzim fizik ndaj një nëne posaçërisht nga një nëne dëshmori”, theksoi Hoda.

Tashmë Gjykata Themelore në Pejë ka caktuar masën e paraburgimit prej 30 ditësh ndaj të tri infermiereve që dyshohen për sulm dhe bashkëkryerje të veprës.
Ndërsa, Oda e Infermierëve të Kosovës ua ka tërhequr licensën katër infermiereve që u përfshinë në sulmin ndaj së moshuarës.

Kosova Press