Kosovë: Rruga në Banjskë merr emrin Afrim Bunjaku, në njëvjetorin e rënies / Photo: Qeveria e Kosovës

Një rrugë në Banjskë të Kosovës, aty ku një vit më parë ndodhi sulmi i armatosur mbi policinë kosovare do të mbajë emrin e rreshterit Afrim Bunjaku, i cili u vra gjatë përleshjeve me grupin e udhëhequr nga Milan Radoiçiq.

Kryeministri dhe kryeparlamentari i Kosovës, Albin Kurti e Glauk Konjufca, të shoqëruar nga ministria të qeverisë vizituan vendin e rënies së rreshterit Bunjaku, përkatësisht në fshatin Banjskë të Zveçanit, ku në nderim të tij u zbulua tabela e rrugës që do të mbajë emrin “Afrim Bunjaku”, njoftojnë nga Qeveria e Kosovës.

Paraprakisht ata e vizituan familjen e heroit Afrim Bunjaku, dhe bënë homazheve te varri i të ndjerit.

Në deklarimin e tij para mediave, kryeministri Kurti potencoi se Banjska e 24 shtatorit 2023 ka qenë një plan për të sulmuar Kosovën, ka qenë një agresion kundër sovranitetit shtetëror, integritetit territorial, paqes, sigurisë, kushtetutshmërisë dhe ligjshmërisë.

“Plani ishte të ndahet Kosova, plani ishte që të aneksohet një pjesë e territorit dhe rënia e Afrim Bunjakut nuk ishte e kotë, përkundrazi ajo është fitore e madhe e shtetit të Kosovës për të gjithë qytetarët pa dallim dhe në mbrojtje të tërësisë tonë territoriale. Kosova është një dhe e pandashme”, deklaroi kryeministri.

Gjatë vizitës në vendin e rënies së heroit Afrim Bunjaku, kryeministri Kurti ishte bashkë me policët që para një viti në orët e hershme të mëngjesit të 24 shtatorit 2023 u ballafaquan me paramilitarët e Radoiçiqit, të cilët ndanë detaje nga ballafaqimi me sulmin.

Kryeministri Kurti shprehu mirënjohjen e tij të thellë dhe falënderime të përjetshme ndaj policisë për gjithë punën, angazhimin dhe kontributin në sigurinë e vendit.

TRT Balkan