Kovaçevski: Qëllimi politik i Ballkanit Perëndimor, anëtarësimi i plotë në BE. / Foto: AA

Në kuadër të Forumit të Prespës për Dialog që po mbahet në qytetin e Strugës, është zhvilluar sesioni i titulluar "Bashkëpunimi i sinqertë rajonal e mban rajonin të qëndrueshëm".

Fjalimin hapës në këtë sesion e mbajti kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, ndërsa fjalim pati edhe kryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviq. Me video-mesazh iu drejtua të pranishmëve edhe presidentja e Parlamentit Evropian (PE), Roberta Metsola.

Në fjalën e tij, Kovaçevski theksoi se "Qëllimi politik i Ballkanit Perëndimor është anëtarësimi i plotë në Bashkimin Evropian".

"Vendi i të gjitha shteteve të Ballkanit Perëndimor është në BE. Iniciativat rajonale janë një nga mënyrat e bashkëpunimit më të mirë në rrugën drejt anëtarësimit të plotë në BE. Të gjitha vendet e rajonit jemi praktikisht në atë rrugë. Rajoni sot ka potencialin e nevojshëm të lidershipit për të marrë vendime të tilla", tha ai.

Kryeministri Kovaçevski tha se lufta në Ukrainë i ka kujtuar Evropës se në sipërfaqen gjeografike të kontinentit evropian, ekziston një zbrazëti gjeostrategjike. "Nuk duhet të harrojmë se lufta në Ukrainë po zhvillohet 700 kilometra larg vendit ku jemi sot", u shpreh ai.

Sipas tij, kjo zbrazëti gjeostrategjike është "një derë e hapur për erërat që tashmë po tronditin stabilitetin e Ballkanit të brishtë Perëndimor, por edhe të vetë Bashkimit Evropian".

"Nuk duhet të harrojmë se BE-ja ka dy kufij, njëri është kufiri i jashtëm i BE-së dhe i dyti është kufiri i brendshëm, që është me vendet e Ballkanit Perëndimor. Ky është kufiri që në të ardhmen, deri në vitin 2030, të gjithë së bashku duhet të bëjmë që të mos ekzistojë më", shtoi ai.

Metsola: Zgjerimi është mjeti më i fuqishëm gjeopolitik i BE-së

Presidentja e PE-së, Metsola në video-mesazhin e saj, tha se vitet e fundit kanë qenë sfiduese, duke filluar nga një pandemi globale, deri te emergjenca klimatike dhe kriza energjetike që nxit inflacionin, ndërsa të gjitha janë në sfondin e pushtimit të paligjshëm rus të Ukrainës.

Sipas saj, zgjerimi është mjeti më i fuqishëm gjeopolitik i BE-së. "Ai mbetet një investim strategjik për paqen, sigurinë dhe prosperitetin në kontinentin evropian. Politika e zgjerimit të BE-së ka qenë një nga sukseset më të mëdha dhe më transformuese të BE-së. Miliona evropianë kanë përfituar prej tij. Zgjerimi sjell përfitime për të dyja palët, si për bllokun e BE-së, ashtu edhe për anëtarët e rinj që hyjnë", tha ajo.

Metsola rikujtoi se ky muaj shënon 20-vjetorin e Samitit të BE-Ballkanit Perëndimor që u mbajt në Selanik të Greqisë. "Janë bërë premtime, është bërë edhe progres. Por, shpeshherë ka qenë e ngadaltë. Dhe ka pasur shumë zhgënjim. Por, aty ku ka vullnet për t'u pajtuar, do të ketë një rrugë përpara", tha ajo duke shprehur shpresën se ky vit do të sjellë lajme të tjera të mira.

Ndërkaq, Abazoviq, në fjalën e tij theksoi se problemi i Ballkanit Perëndimor qëndron në faktin se janë duke folur tepër për të kaluarën, por jo se çfarë do të ndodhë në të ardhmen.

"Nëse e ndryshojmë këtë qasje dhe flasim më shumë për vizionin se çfarë duam të shohim në të ardhmen, mendoj se me të vërtetën do të arrijmë sukses. Por, kjo është një rrugë me dy kahe", theksoi Abazoviq duke shtuar se pas situatës së re gjeopolitike çdokush duhet të kuptojë se ky është interesi i përbashkët.

Ai rikujtoi se BE-ja humbi një shtet anëtar para disa vitesh, duke tërhequr vëmendjen se do të ishte shumë mirë që të ringjallet procesi i zgjerimit.

Duke folur për iniciativat rajonale si Procesi i Berlinit dhe Ballkani i Hapur, Abazoviq potencoi se iniciativat rajonale janë mjet për të arritur qëllimin, prandaj çdo iniciativë që do të lehtësojë më shumë jetën e qytetarëve duhet të mbështetet.

TRT Balkan / agjencitë