Siguria energjetike, përballja me krizën ekonomike, kryesimi i OSBE-së, integrimi evropian dhe lufta kundër korrupsionit dhe sundimit të ligjit kanë qenë temat e diskutuara mes kryeministrit të Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, dhe këshilltarit të Departamentit të Shetit Amerikan, Derek Schole.
“Ne jemi një vend që kemi një marrëveshje strategjike dhe një dialog strategjik me ShBA-në dhe, në kuadër të atij dialogu strategjik, për të cilin takimi i radhës do të mbahet në gjysmën e parë të këtij viti, do të jenë prezente edhe këto tema, të cilat janë në pjesën e promovimit të shtetit ligjor dhe luftës kundër korrupsionit”, deklaroi kryeministri Kovaçevski.
Ai, para gazetarëve, foli edhe për listën e sanksioneve ose të ashtuquajturën “lista e zezë” e ShBA-së, për të cilën tha se kjo temë nuk është diskutuar me këshilltarin amerikan Schole.
“Ne jemi një vend partner i SHBA-së dhe ajo listë e zezë, pra lista e sanksioneve, u drejtohet pikërisht personave që punojnë kundër praktikave të qeverisjes së mirë, por që pengojnë edhe rrugën drejt një shoqërie plotësisht demokratike në vendet partnere të ShBA-së, dhe në vendin tonë ato i referohen integrimit në BE, shtetit ligjor dhe sundimit të plotë të demokracisë në vend. Hetuesit amerikanë ishin në vend, por puna e tyre merret parasysh nga autoritetet amerikane me të cilat praktikisht jemi në partneritet dhe me të cilët kemi dialog strategjik, nënvizoi Kovaçevski.
Ndryshe, vizita në rajon e këshilltarit të Departamentit të Shetit Amerikan, Derek Schole, filloi nga Shkupi dhe vazhdoi në Prishtinë. Ndërkohë, për nesër (12 janar) është paralajmëruar vizita e Beogradit zyrtar.