Krerët e Kosovës vlerësojnë rolin e presidentit Biden          / Foto: AA

Krerë të institucioneve të larta në Kosovë e kanë vlerësuar lart rolin e presidentit aktual të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA), Joe Biden, për Kosovën, pasi ai njoftoi se do të tërhiqet nga gara për t’u rizgjedhur president.

Nëpërmjet rrjeteve sociale, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, tha se presidenti Biden e ka mbrojtur gjithmonë lirinë, pavarësinë dhe demokracinë e Kosovës, për çka populli kosovar do të mbetet gjithnjë mirënjohës.

"Nga ditët e tij si senator amerikan deri në mandatin e tij si zëvendëspresident dhe tani si president, Joe Biden gjithmonë ka mbrojtur lirinë, pavarësinë dhe demokracinë e Kosovës. Mirënjohja e popullit të Kosovës do të mbetet gjithmonë e thellë. I urojmë Presidentit Biden një vazhdim të suksesshëm të mandatit të tij dhe të gjitha të mirat për të, për Jill Biden dhe familjen e tij në vitet në vijim", ka shkruar Osmani.

Ndërsa, kryeministri Kurti ka thënë se Bideni ka qenë një nga miqtë më të mëdhenj të Kosovës dhe njoftimi i tij se do të tërhiqet nga gara shënon fundin e një epoke.

"Për dekada me radhë, Joe Biden ka qenë një nga miqtë më të mëdhenj dhe avokuesi më i palodhur i Kosovës. Njoftimi i presidentit Biden shënon fundin e një epoke. Bota dhe veçanërisht Kosova është një vend më i mirë dhe më i sigurt për shkak të kontributeve të tij të jashtëzakonshme. Për këtë, ne do të jemi gjithmonë mirënjohës", shkroi Kurti.

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe e Diasporës, Donika Gërvalla, ka thënë se populli i Kosovës e admiron dhe do të jetë gjithmonë mirënjohës ndaj presidentit të ShBA-së, Joe Biden.

Sipas ministres kosovare, presidenti Biden po tregon edhe një herë se çfarë lideri i madh është dhe se çfarë karakteri të madh ka.

"Udhëheqja e tij në Perëndim dhe kontributi i tij me dekada për lirinë dhe demokracinë globale janë një shërbim për gjithë botën", ka shkruar Gërvalla.

Presidenti amerikan Joe Biden njoftoi të dielën se u tërhoq nga gara për presidencën amerikane.

TRT Balkan / agjencitë