Ministri i Punëve të Jashtme dhe Evropian i Kroacisë, Gordan Gërliq-Radman, u takua me Zëvendëskryeministrin dhe Ministrin e Punëve të Jashtme të Republikës së Irakut, Fuad Hussein, i cili ndodhet në një vizitë disaditore në Kroaci.
Gërliq-Radman vlerësoi se vizita e sotme e ministrit irakian Husein është historike, pasi është vizita e parë e një ministri irakian në Zagreb, dhe marrëdhëniet bilaterale ndërmjet Kroacisë dhe Irakut i cilësoi të suksesshme.
“Të dyja vendet tona promovojnë paqen dhe stabilitetin dhe vlerat e bazuara në rendin botëror që është gërshetuar në Kartën e Kombeve të Bashkuara, stabiliteti dhe prosperiteti i fqinjësisë, por edhe globalisht, janë të një rëndësie kyç për ne”, tha Gërliq-Radman.
“Kroacia konfirmoi mbështetjen e saj për forcimin e mëtejshëm të partneritetit midis Bashkimit Evropian dhe Irakut, bazuar në qëllimet e përbashkëta të prosperitetit në nivel rajonal dhe botëror. Bashkimi Evropian e konsideron Irakun si një vend vendimtar për paqen dhe stabilitetin në rajon”, shtoi ministri Gërliq-Radman.
Ministri Husein theksoi se qëllimi i vizitës së tij në Kroaci është forcimi i bashkëpunimit ndërmjet dy kombeve.
Ai shprehu mirënjohjen për mbështetjen e Kroacisë ndaj Irakut në kohën e shfaqjes së organizatës terroriste ISIS, por edhe për pjesëmarrjen e ushtarëve kroatë në operacionin e NATO-s në Bagdad.
Të dy ministrat diskutuan për pikat aktuale të konfliktit në Ukrainë dhe Lindjen e Mesme, ku ranë dakord që përhapja e këtyre konflikteve në vendet fqinje duhet të ndalet.
“Ne diskutuam për rrezikun e përhapjes së luftës nga Gaza dhe Libani në zonat dhe vendet fqinje. Ne ramë dakord që jemi kundër luftërave, qëllimi ynë është që lufta të jetë sa më larg nesh dhe ky është detyrimi ynë dhe i vendeve të tjera, sepse Iraku ka pasur shumë luftëra në 50 vitet e fundit. Na mjaftuan luftërat, duam paqen, stabilitetin dhe sigurinë për t'ua bërë jetën sa më të mirë qytetarëve tanë. Ne qëndrojmë për ndalimin e luftës në Ukrainë, që konflikti të përfundojë me një dialog mes palëve ndërluftuese në tryezën e bisedimeve”, tha Husein.
Iraku dhe Kroacia nuk kanë çështje të hapura politike. Zhvillimi i bashkëpunimit në fushën e ekonomisë, veçanërisht në energjetikë, është i mbushur me potencial, u theksua pas takimit. Ata diskutuan edhe për bashkëpunimin në fushën e kulturës dhe arsimit dhe shkëmbimin e studentëve.
Ministri irakian Hussein do të takohet nesër me ministrin kroat të mbrojtjes Ivan Anushiç dhe ministren e kulturës dhe medias Nina Obuljen Koržinek.
Pas takimit, ministrat nënshkruan Memorandumin e Mirëkuptimit dhe Konsultimeve Politike ndërmjet Kroacisë dhe Irakut, i cili do të mundësojë dialog më të mirë për çështjet politike dhe bashkëpunim në organizata dhe forume ndërkombëtare.
Ministri irakian Fuad Hussein, i cili ndodhet në një lloj turneu evropian, dje ka vizituar kompaninë kroate Dok-Ing, e cila merret me prodhimin e makinerive për çminim humanitar, duke pasur parasysh se Iraku ka rreth 25 milionë mina që duhet të hiqen.
Huseini dje është takuar edhe me kryeministrin e Republikës së Kroacisë, Andrej Plenkoviq.