Kryediplomatët austriak, çek dhe sllovak në Shkup, mbështetje integrimit / Foto: AA

Ministri i Punëve të Jashtme i Austrisë, i Republikës Çeke dhe ai i Sllovakisë - Alexander Schallenberg, Jan Lipavsky dhe Miroslav Wlachovsky, kanë zhvilluar një vizitë në Shkup, ku u pritën nga homologu i tyre i Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani.

Shefat e diplomacisë të vendeve në fjalë u shoqëruan nga ambasadori i Bashkimit Evropian në Maqedoninë e Veriut, David Geer.

Kryediplomati austriak Schallenberg, në konferencën për media pas takimeve inkurajoi Maqedoninë e Veriut të bëjë ndryshimet kushtetuese, sipas obligimeve të marra me “propozimin francez” pas kontestit me Bullgarinë.

"Vonimi i ndryshimeve thjesht do të vonojë përparimin e Maqedonisë së Veriut. Është e qartë se vendimi për të marrë është juaji dhe vetëm juaji. Por, do të ishte turp nëse Shkupi pasi të vrapojë me sukses një maratonë vërtet kërkuese, do të pengohej tani në metrat e fundit", u shpreh ministri austriak.

Schallenberg apeloi fuqishëm për të gjithë ata që mbajnë përgjegjësi politike në Maqedoninë e Veriut që të lënë mënjanë politikën partiake dhe të vënë në rend të parë interesat kombëtarë, ndërsa shtoi se nuk ndërhyjnë në çështjet e brendshme të vendit.

Sipas tij, agresioni i Rusisë në Ukrainë ka ndryshuar në mënyrë drastike të gjithë rrethinën gjeostrategjike dhe gjithashtu përbën një kërcënim të madh të sigurisë për Ballkanin Perëndimor.

"Kundërstrategjia më e mirë është ankorimi i qartë i Maqedonisë së Veriut, në fakt i çdo vendi të rajonit brenda familjes evropiane", u shpreh ai.

Ai i bëri thirrje edhe Bullgarisë me mesazhin: "Ky është momenti për të vepruar dhe menduar strategjikisht, jo vetëm Maqedonia e Veriut. Këtu ka edhe një mesazh të qartë për miqtë bullgarë. Lëvizni përtej çështjeve dypalëshe, çështjeve të brendshme dhe merrni edhe qasjen gjeostrategjike në këtë moment".

Ministri i Jashtëm i Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, në fjalën e tij tha se vizitën e ministrave e "lexon si mbështetje të fortë dhe parimore për Maqedoninë e Veriut dhe perspektivën e saj evropiane".

"Sot ne e gjejmë veten përsëri në një udhëkryq. Nga njëra anë, negociatat kanë filluar, kemi një skrining të suksesshëm dhe jemi disa muaj para hapjes së kllasterëve dhe kapitujve. Por, për herë të parë na është dhënë çelësi për të zhbllokuar vetë kapitujt dhe kllasterët dhe për të vazhduar me sukses procesin e negociatave", theksoi Osmani, duke shtuar se nga ana tjetër përballen me rezistencën e bërë nga disa prej përfaqësuesve të opozitës.

Sipas tij, ndryshimi kushtetues që e kanë marrë si detyrim për ta zbatuar, nuk e ndryshon as më së paku thelbin e kushtetutës dhe prandaj, theksoi ai, ndoshta fjala "ndryshime" është e gabuar dhe duhet përdorur "shtojcë".

Ai tha se Maqedonia e Veriut nuk duhet të lejojë që të veçohet dhe të bjerë në grupin e vendeve kandidate ose kandidatë të mundshëm që kanë çështje të hapura dhe për të cilët nuk do të ketë korsi të shpejtë drejt anëtarësimit në BE.

"Përkundrazi, do të bëjmë një gabim historik nëse nuk do të qëndrojmë në rrugën aktuale, të cilën e patëm të vështirë t'i ktheheshim pas shumë vitesh pritje", u shpreh Osmani.

Ai njoftoi se në javët e ardhshme amendamentet kushtetuese do të jenë pranë anëtarëve të Kuvendit për votim.

AA