Kryediplomati i Maqedonisë së Veriut takohet me homologen e Australisë / Photo: Timco Mucunski/FB

Ministri i Punëve të Jashtme dhe i Tregtisë së Jashtme të Maqedonisë së Veriut, Timço Mucunski, ndodhet në një vizitë pune në Australi, që është vizita e parë e një kryediplomati nga Shkupi në këtë vend në 15 vjet.

Siç thuhet në njoftimin e Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme (MPJTJ), kjo vizitë përkon me 30-vjetorin e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike midis dy vendeve.

Në kuadër të vizitës, ministri Mucunski pati një takim dypalësh me ministren e Punëve të Jashtme të Australisë, Penny Wong. Në takim, sipas njoftimit, ministrat konfirmuan marrëdhëniet e shkëlqyera dypalëshe dhe shkëmbyen mendime për sfidat aktuale gjeopolitike, duke përfshirë çështjet që kanë të bëjnë me stabilitetin rajonal dhe sigurinë globale.

"Ministri Mucunski shprehu mirënjohjen e tij për mbështetjen që autoritetet lokale dhe federale në Australi japin për ruajtjen e identitetit maqedonas dhe studimin e gjuhës maqedonase, si dhe për përpjekjet e diasporës maqedonase në promovimin dhe ruajtjen e kulturës dhe traditës maqedonase", thuhet në deklaratë.

Ministrja Wong theksoi rëndësinë e kësaj vizite ministrore, duke vënë në dukje simbolikën e saj në kuadër të 30-vjetorit të vendosjes së marrëdhënieve diplomatike.

Të dyja palët u pajtuan për rolin kyç të diasporës maqedonase në marrëdhëniet dypalëshe dhe shprehën gatishmërinë për intensifikimin e dialogut politik dhe forcimin e bashkëpunimit dypalësh, me fokus të veçantë në marrëdhëniet ekonomike ndërmjet dy vendeve.

AA