Bujar Osmani, kandidati i dytë shqiptar për president në Maqedoninë e Veriut.     /Foto: AA Archive

Maqedonia e Veriut ka reaguar ndaj sulmit të djeshëm nga ushtria izraelite ndaj civilëve palestinezë që prisnin ndihmën humanitare në veri të Rripit të Gazës, ku qindra palestinezë u vranë dhe u plagosën.

Në rrjetin social X, ministri i Punëve të Jashtme i Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, u shpreh se po ndihet "i tmerruar" nga "sulmi në Gaza që mori jetën e shumë njerëzve të pafajshëm derisa prisnin ushqim" rreth kamionëve me ndihma humanitare.

"Një akt i tillë paraqet shkelje të rëndë të së drejtës ndërkombëtare humanitare. Bëj thirrje për mbrojtjen e civilëve dhe shpërndarjen e papenguar të ndihmave humanitare", shkroi Osmani.

Sipas Ministrisë së Shëndetësisë me bazë në Rripin e Gazës, mëngjesin e ditës së djeshme të paktën 112 palestinezë u vranë dhe 760 të tjerë u plagosën kur forcat izraelite hapën zjarr ndaj palestinezëve që prisnin për ndihmën humanitare në qytetin Gaza.

Izraeli ka nisur një ofensivë vdekjeprurëse ushtarake në Rripin e Gazës që nga sulmi ndërkufitar i 7 tetorit nga Hamasi dhe që atëherë sulmet izraelite kanë vrarë të paktën 30.228 palestinezë dhe kanë plagosur rreth 70.500 të tjerë mes mungesës akute të ushqimit, ujit të pastër dhe ilaçeve.

Izraeli gjithashtu akuzohet për gjenocid në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, e cila në një vendim të përkohshëm në muajin janar urdhëroi Tel Avivin të ndalojë aktet gjenocidale dhe të marrë masa për të garantuar ofrimin e ndihmës humanitare për civilët në Gaza.


TRT Balkan / agjencitë