Kryeministri hungarez, Viktor Orban, i cili qëndron për vizitë zyrtare në Maqedoninë e Veriut, është pritur në takim në vilën e kryeministrit në Ohër nga homologu i tij maqedonas, Hristijan Mickoski.
Sipas agjendës së paralajmëruar, pas takimit kokë më kokë midis dy kryeministrave do të pasojë seanca ndërqeveritare midis delegacioneve të të dyja vendeve, pas së cilës Mickoski dhe Orban do të adresohen në një konferencë të përbashkët për media.
Gjatë kësaj vizite do të ketë gjithashtu një sërë takimesh dypalëshe mes ministrave të Maqedonisë së Veriut me homologët e tyre nga delegacioni hungarez.
Siç informon qeveria, në kuadër të vizitës dyditore të delegacionit hungarez gjithashtu është planifikuar një shëtitje në qytetin e Ohrit, vizita e manastirit "Shën Maria Perivlepta", Teatrit Antik dhe kompleksit të manastirit "Shën Naum", si dhe vendosja e luleve nga dy kryeministrat në monumentin e shenjtorëve Kirili dhe Metodi në Ohër.
Hungaria aktualisht kryeson presidencën e Bashkimit Evropian (BE).
Kryeministri Orban për herë të fundit zyrtarisht vizitoi Maqedoninë e Veriut në vitin 2013, kur u dekorua me mirënjohjen "8 Shtatori" për merita të jashtëzakonshme në zhvillimin e marrëdhënieve miqësore dhe bashkëpunim paqësor midis dy vendeve. Mirënjohja iu nda nga presidenti i atëhershëm, Gjorge Ivanov.