Në Qeverinë e Republikës së Maqedonisë së Veriut, kryeministri i deritanishëm Talat Xhaferi ia dorëzoi funksionin kryeministrit të sapozgjedhur Hristijan Mickoski.
Në deklaratën e Qeverisë thuhet se kryeministrat kishin një takim të shkurtër në kabinetin kryeministror.
"Kryeministri i deritanishëm, Xhaferi, ia uroi marrjen e detyrës kryeministrore kryetarit të sapozgjedhur të Qeverisë, Hristijan Mickoski, me ç’rast i uroi punë të suksesshme dhe efikase, në interes të të gjithë qytetarëve në shtet dhe të Republikës së Maqedonisë së Veriut", thuhet në deklaratë.
Gjithashtu, u konstatua se Qeveria kalimtare dhe institucionet shtetërore iu përgjigjën me sukses detyrës për organizimin e proceseve zgjedhore të lira, korrekte dhe demokratike dhe mundësuan pranim dorëzim të qetë dhe demokratik të pushtetit. Kjo u vlerësua si kontribut në sjelljen evropiane të shtetit, i cili synon anëtarësimin e plotfuqishëm në Bashkimin Evropian.
"Kryeministri i deritanishëm Xhaferi sugjeroi se shtetit, si edhe deri tani, edhe më tej, i nevojiten reforma cilësore, me qëllim të avancimit të cilësisë së jetës së qytetarëve sipas standardeve dhe vlerave evropiane dhe demokratike. U shpreh edhe shpresë për nivel të lartë të ndërgjegjes politike dhe bashkëpunim rreth prioriteteve strategjike", thuhet në deklaratë.
Kujtojmë se mbrëmë, Kuvendi i Maqedonisë së Veriut me 77 vota pro dhe 22 kundër zgjodhi Qeverinë e re të kryesuar nga lideri i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski.
Qeveria e re do të ketë gjithsej 24 anëtarë, përfshirë kryeministrin dhe pesë zv/kryeministrat. Në kabinetin qeveritar, 15 anëtarë janë nga koalicioni i udhëhequr nga VMRO-DPMNE-ja, gjashtë nga VLEN-i dhe dy nga Lëvizja ZNAM