Kryeministri Rama u prit në vizitë zyrtare nga presidenti Macron në Paris / Photo: AA

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, i cili po qëndron për vizitë zyrtare në Paris, ka takuar presidentin e Francës, Emmanuel Macron, të cilin e falënderoi për vizionin dhe vendosmërinë me të cilën e ka nxitur këtë valë të re të afrimit ndërmjet vendeve të Ballkanit dhe Bashkimit Europian.

Në deklaratën e përbashkët për shtyp me Presidentin Macron në Pallatin Elysee, kryeministri Rama vlerësoi ceremoninë ushtarake të pritjes në Oborrin e Nderit të “Les Invalides”, në Paris, ndërsa u shpreh se ishte hera e parë në historinë e marrëdhënieve tona diplomatike që një përfaqësues i shtetit shqiptar të pritej në këtë mënyrë.

“Kjo do të thotë shumë për Shqipërinë dhe shqiptarët. Sot jam vërtet shumë krenar jo për veten, por për Shqipërinë, për këtë miqësi ndërmjet Shqipërisë dhe Francës”, tha Rama.

Kryeministri theksoi se sot ka sipërmarrës të shumtë francezë që vijnë në Shqipëri për të investuar dhe zgjeruar ndërmarrjet e tyre dhe ky është vërtet revolucion.

“Të falënderoj për dy gjëra. Për vizionin dhe vendosmërinë me të cilën e ke nxitur dhe e ke shtyrë këtë valë të re të afrimit ndërmjet vendeve të Ballkanit dhe BE-së, duke vënë në tryezë nevojën për ta shoqëruar këtë proces integrimi me një proces përafrimi përtej rrugëve burokratike të çdo vendi”, tha Rama.

Kryeministri theksoi se “ne jemi sot dëshmitarë të rezultateve për Shqipërinë dhe për të gjitha vendet e Ballkanit dhe Plani i Rritjes që u miratua nga PE-ja shkon në këtë drejtim. Një Europë e fortë, e bashkuar që nuk mbetet peng i mënyrave të vjetra, metodave të vjetra tradicionale të integrimit”, tha Rama.

Nga ana tjetër, presidenti francez Emmanuel Macron përsëriti sot angazhimin e Francës në favor të angazhimit europian të Shqipërisë.

“Jemi këtu sot se Franca ju do, ju dhe vendin tuaj. Kisha shumë dëshirë t’ju prisja në Paris pas pritjes që më bëtë tetorin e vitit të kaluar pas vizitës së parë të Presidentit të Republikës të Francës në Shqipëri që prej pavarësisë së Shqipërisë në 1912. Këto dy vizita të kryqëzuara dhe dialogu që ne kemi me njëri-tjetrin dëshmojnë për dinamikën e jashtëzakonshme qe ne kemi ndërmjet Shqipërisë dhe Francës”, ka thënë Macron.

Macron u shpreh se që prej mbajtjes së konferencës së parë ndërqeveritare ndërmjet BE-së dhe Shqipërisë në korrik 2022 Shqipëria ka vazhduar rrugën e saj europiane me vendosmëri.

“Ju mund të keni besim tek mbështetja jonë për t’u shoqëruar në këtë rrugë me qëllim që negociatat të ecin sa më shpejt dhe t’jua them se jemi të impresionuar nga tërësia e reformave dhe kapaciteteve për të avancuar”.

TRT Balkan / agjencitë