A është i mundur kthimi i shërbimit të detyrueshëm ushtarak?     Foto: TRT Balkan

Në periudhën nga viti 2005 deri në vitin 2008, për disa vende të cilët në atë kohë ishin aspirant për t’u anëtarësuar në NATO, karakteristikë ishin përpjekjet për heqjen e shërbimit të detyrueshëm ushtarak.

Shërbimi i detyrueshëm ushtarak është hequr në të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor. Megjithatë, rikthimi i shërbimit të detyrueshëm ushtarak është një "çështje e madhe" që po kthehet në disa vende të rajonit.

Në periudhën nga viti 2005 deri në vitin 2008, për disa vende të cilët në atë kohë ishin aspirant për t’u anëtarësuar në NATO, karakteristikë ishin përpjekjet për heqjen e shërbimit të detyrueshëm ushtarak dhe krijimin e ushtrive plotësisht profesionale.

Tashmë tek ata që nuk janë pjesë të NATO-s, por edhe tek disa anëtarë të aleancës, aktive janë diskutimet që çojnë në shërbimin e detyrueshëm ushtarak, por kërkohen mënyra si ajo të zbatohet. Lufta në Ukrainë dhe aktivizimi i mobilizimit të pjesshëm nga Rusia i nxit më tej këto diskutime.

Vendimi në Serbi brenda 6-të muajve

Serbia flet me zë të lartë për këtë ide. Ministria e Mbrojtjes e Serbisë ka përgatitur disa propozime për t'ia dorëzuar presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq. Ministri i Mbrojtjes Nebojsha Stefanoviq ka deklaruar shumë herë se është pro vendosjes së shërbimit të detyrueshëm ushtarak. Një javë më parë në Nish ai tha se po punohet për vendosjen e shërbimit të detyrueshëm ushtarak, por se nuk mund të thuhet me siguri se vendimi do të merret këtë vit.

“Ne jemi duke punuar për të gjitha këto dhe kjo është një nevojë reale e ushtrisë. Ne kemi nevojë për më shumë ushtarë. Shtabi ynë i përgjithshëm ka dhënë mendimin e tij se pse duhet të shërbejmë përsëri shërbimin e rregullt ushtarak”, tha Stefanoviq.

Për rikthimin e shërbimit ushtarak mendon edhe presidenti i Serbisë, Vuçiq. Ai mbrojti qëndrim për shërbim të detyrueshëm ushtarak 90-ditor.

“Në ushtri burrat fitojnë pjekuri, mësojnë se çfarë është dashuria për atdheun, çfarë do të thotë punë dhe përgjegjësi”, tha Vuçiq.

Shërbimi i detyrueshëm ushtarak në Serbi u hoq në vitin 2011.

Premtim i Kurtit, shërbimi i detyrueshëm ushtarak

Ngjashëm me Serbinë edhe në Kosovë ekzistojnë iniciativa për shërbim të detyrueshëm ushtarak. Ato janë iniciuar nga kryeministri Albin Kurti, ndërsa nuk i refuzoi as ish-ministri i Mbrojtjes, Rrustem Berisha. Kurti e arsyeton shërbimin ushtarak për qëllime të mbrojtjes.

“Ne do ta bëjmë të detyrueshëm shërbimin ushtarak, jo se duam të fitojmë. Përkundrazi, ne jemi një popull me mendje të lirë e paqësor dhe me mendje të lirë duam të jemi në gjendje ta mbrojmë Kosovën”, tha Kurti.

Ideja e kryeministrit Kurti është që shërbimi i detyrueshëm ushtarak të zgjasë 6 muaj, 3 muaj verës dhe 3 muaj dimrit.

Ne do ta bëjmë shërbimin ushtarak të detyrueshëm vetëm nëse do të pajtohen (të rinjtë) përndryshe do të kenë shërbim civil", tha Kurti, në një deklarata para zgjedhjeve të 14 shkurtit të vitit 2021.

Në të njëjtën vijë është edhe Berisha, por ai beson se kjo çështje kërkon një debat më të gjerë.

Forca e Sigurisë e Kosovës u transformua në ushtri të vendit në fund të vitit 2018.
Shqipëria prej vitit 2010 me një ushtri plotësisht profesionale

Shqipëria u anëtarësua në NATO në vitin 2008. Dy vite më vonë, respektivisht në vitin 2010, vendi përfundoi plotësisht procesin e profesionalizimit të ushtrisë. Kuvendi i Shqipërisë po ashtu miratoi një ligj për profesionalizimin e ushtrisë, që ishte pjesë e reformës së përgjithshme në fushën e mbrojtjes në bashkëpunim me SHBA-të.
Përpos në debatet televizive ideja për rikthimin e shërbimit të detyrueshëm ushtarak në Shqipëri nuk është përmendur nga autoritet.

Klasa e fundit në Maqedoninë e Veriut ishte në vitin 2006
Nisma parlamentare për heqjen e shërbimit ushtarak në Maqedoninë e Veriut është e vitit 2005, kurse klasa e fundit që ka shërbyer në ushtri është nga viti 2006. Ajo iniciativë e ka origjinën nga partitë parlamentare dhe është votuar në Kuvendin e Maqedonisë me qëllim të krijimit të një ushtrie të vogël profesionale dhe të modernizuar sipas standardeve të NATO-s. Kjo ndodhi në kulmin e reformave të mbrojtjes me një aspiratë për anëtarësim sa më të shpejtë në Aleancën e Atlantikut të Veriut.
Në Maqedoninë e Veriut, nuk ka debat për kthimin në shërbimin ushtarak.

Shërbimi i detyrueshëm ushtarak në BeH u hoq në vitin 2006

Dy vite më parë, një pjesë e personelit ushtarak në Bosnjë e Hercegovinë publikisht diskutuan për shërbimin e ri të detyrueshëm ushtarak. Këtë qëndrim e kishin shefi i Shtabit të Forcave të Përbashkëta të Armatosura të Bosnjë e Hercegovinës, Senad Mashoviq dhe zv/ministri i Mbrojtjes, Sead Jushiq.

Megjithatë, që kjo të ndodhë, vendi duhet të ndryshojë rregulloret ligjore, sepse sipas nenit 79 të Ligjit për mbrojtjen e Bosnjë e Hercegovinës të miratuar në vitin 2016, ligjet e njësive që parashikonin shërbimin e detyrueshëm ushtarak u shfuqizuan.

Mali i Zi më 2006 shfuqizoi shërbimin e detyrueshëm ushtarak
Mali i Zi po ashtu hoqi shërbimin e detyrueshëm ushtarak në vitin 2006. Më pas vendi paraqiti kërkesë për anëtarësim në Partneritetin në Paqe. Ish-presidenti i Malit të zi, Filip Vujanoviq, deklaroi se ushtria malazeze do të jetë plotësisht profesionale.

“Nga sot ushtria e Malit të Zi nuk do të zbatojë shërbim ushtarak, por në të do të punësohen”, tha në atë kohë Vujanoviq.

Në vitin 2019, 13 vjet pas shfuqizimit të shërbimit të detyrueshëm ushtarak, Mali i Zi paraqiti shërbimin vullnetar ushtarak. Ushtria malazeze e arsyetoi lëvizjen me faktin se të rinjtë në vend donin të jenë pjesë e ushtrisë. Hulumtimet tregojnë se 55 për qind e 25-vjeçarëve shihen si pjesë e ushtrisë. Trajnimi zgjat tre muaj.

TRT Balkan