Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani dhe kryeministri Albin Kurti kanë përkujtuar masakrën e Pastaselës së Rahovecit dhe atë të Burimit të Malishevës 25 vjet më vonë.
Presidentja Osmani në 25-vjetorin e këtyre dy masakrave tha se do të punohet çdo ditë për të kërkuar drejtësi dhe përgjegjësi, derisa shtoi se refuzon që “me kalimin e kohës të zbehet historia e të rënëve”.
“25 vjet më parë, forcat e regjimit gjenocidal të Serbisë në Pastaselë të Rahovecit vranë dhe masakruan 106 banorë të këtij fshati dhe fshatrave përreth. Në të njëjtën ditë, barbarinë e tij regjimi kriminal e vazhdoi në Burim të Malishevës, ku u vranë dhe u masakruan 42 civilë. Përkundrazi, me vendosmëri dhe përkushtim do të punojmë çdo ditë për ta mbrojtur të vërtetën, për të kërkuar drejtësi dhe përgjegjësi për mizoritë e kryera kundër popullit tonë”, tha Osmani.
Kryeminsitri Kurti, i cili qëndroi gjatë ditës në fshatin Pastasel të Rahovecit ku u mbajt një tubim përkujtimor, tha se këtë vit po bëhen 25 vjet prej kur Kosova u çlirua nga Serbia, por tërë stina e pranverës është e mbushur me 25-vjetore të masakrave që Serbia i ka kryer mbi shqiptarët në Kosovë.
Kryeministri Kurti theksoi se adresa e parë e këtyre akuzave për këto krime bashkë me kriminelët e luftës veç e veç është Beogradi zyrtar, me trashëgiminë aq të madhe të përgjegjësisë penale ndërkombëtare dhe të fajit politik të shtetit të Serbisë, që edhe sot e kësaj dite strehon dhe mbron kriminelët e luftës dhe nuk bashkëpunon me drejtësinë për të gjitha krimet dhe masakrat të cilat kanë ndodhur në Kosovë.
Ai tha se jo vetëm historia e masakrës së kryer në Pastasel më 31 mars, por edhe zhvarrosja e trupave tri javë më vonë më 21 prill tregojnë përpjekjen e pushtetit të Serbisë për ta fshehur krimin.
“Masakra e Pastaselit ka dëshmitarë dhe dëshmi të cilat nuk mund të injorohen dhe të cilat duhet të kthehen në dosje provash për aktakuza për krime lufte. Ky është obligim i neve të gjallëve, për të vrarët, për drejtësinë, për ruajtjen e njerëzores dhe për historinë, sepse ajo që ka ndodhur një herë mund të ndodhë sërish, diku tjetër, por mbi shqiptarë. Sepse Serbia e papenduar natyrisht që nuk ka ndryshuar qëndrim e qëllim", shtoi ai.
Duke i përmendur dëshmitë e dëshmitarët, Kryeministri Kurti theksoi se çfarë duhet të ndodhë tash është që këto dëshmi Prokuroria në Kosovë t’i kthejë në aktakuza.