Kurti: I padrejtë vendimi i BE-së për pasaportat e serbëve të Kosovës / Foto: AA

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e ka konsideruar të padrejtë, të dëmshëm dhe dekurajues vendimin e Këshillit të Bashkimit Evropian për heqjen e regjimit të vizave për serbët që jetojnë në Kosovë dhe bartin pasaporta të lëshuara nga Drejtoria Koordinuese Serbe në Beograd.

Kurti në një deklarim për media nga Qendra Klinike Universitare e Kosovës (QKUK), aty ku u përuruan renovimet e Klinikës së Kardiokirurgjisë, tha se Kosova nuk mund të ndikojë te vendimet e Brukselit.

"E konsiderojmë të padrejtë, të dëmshme dhe gjithashtu dekurajuese. Sidoqoftë, shteti i Kosovës, Republika e Kosovës e ka forcuar pasaportën e saj si asnjëherë më parë, ndërkaq, ne nuk kemi mundësi të mëdha që të ndikojmë te vendimet e Brukselit", theksoi Kurti.

Edhe Zyra e Presidentes së Kosovës reagoi pas vendimit të Këshillit të BE-së. Nga Presidenca deklaruan gjatë ditës së djeshme se përfshirja e serbëve me pasaporta të jashtëligjshme të lëshuara në Kosovë dëmton Kosovën dhe karakterin multietnik të saj, por edhe të vetë Bashkimit Evropian.

Sipas Presidencës, ky vendim, i cili do të hyjë në fuqi pas botimit në "Gazetën Zyrtare" të BE-së dhe nga i cili pritet të përfitojnë rreth 18 mijë qytetarë serbë, e saboton procesin e integrimit të komunitetit serb në Kosovë dhe ndikon negativisht në shtrirjen e sundimit të ligjit.

AA