Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se drafti për Asociacionin, i prezantuar nga emisarët euro-amerikanë më 21 tetor nuk është “Zajednicë”.
Duke raportuar para deputetëve për takimin e fundit në Bruksel për dialogun, Kurti tha se drafti për statutin e Asociacionit e ndërpret trashëgiminë mosnjohëse të Kosovës që, sipas tij, ishte çimentuar në marrëveshjet e vitit 2013 dhe 2015.
Përkitazi me këtë, Kurti theksoi se në vlerësimin e tij politik, mekanizmi për vetëmenaxhim do të ketë karakter vetëm koordinues dhe bashkëpunues pa ndërhyrë në kompetencat e pushtetit lokal dhe qendror.
“Më shpjeguan se hartimin e draftit e kanë bërë me kujdes të qartë dhe të plotë për Kushtetutën e Kosovës, letrën e zonjës Mogerini, qëndrimin amerikan të Chollet dhe Escobar dhe gjithashtu më thanë se është në përputhje me Ligjin e Kosovës për vetëqeverisje lokale dhe ligjet të tjera të aplikueshme. Nga një kënd procedural unë nuk dua të jap tani një qëndrim juridik për përputhshmërinë e draftit me Kushtetutën. Qëndrimin e draftit me Kushtetutën do të japë autoriteti përgjegjës, Gjykata Kushtetuese ashtu siç e parasheh qartë edhe draft-statuti”, tha Kurti.
Megjithatë, kreu i Qeverisë së Kosovës tha se të njëjtin ende nuk e ka pranuar pasi pa nënshkrim nuk mund të ketë zbatim të tij.
“Të gjithë ata që po flasin në emrin tim, e shumë prej tyre janë edhe në këtë sallë se kinse unë e kam pranuar draft-statutin janë duke keqinformuar. Një draft të tillë unë nuk e kam pranuar ende. Asnjë pranim nuk vjen në shprehje pa e parë edhe ju. Nuk e kam pranuar, prandaj nuk e keni parë as ju. Ta pranosh nënkupton të pajtohesh dhe të ndërmarrësh obligime për zbatimin e draftit. Ajo çka unë kam ofruar është që të nënshkruaj dhe si rrjedhojë të pranoj. Meqenëse nuk ka nënshkrim s’ka pranim, meqenëse s’ka pranim nuk ka zbatim. Vetëm nënshkrimi nënkupton pranim dhe pa nënshkrim s’ka pranim”, theksoi Kurti.
Ai u shpreh edhe kritik ndaj dy partive opozitare, PDK dhe LDK, nga të cilët kërkoi sugjerime sesi e kanë bindur presidentin serb Aleksandar Vuçiq që të nënshkruajë marrëveshje në dialog. Tani, sipas tij, Vuçiq po ngurron të nënshkruajë marrëveshjet kur palën kosovare e përfaqëson Kurti.