Kurti: Nga 1 janari Kosova heq vizat për qytetarët e BeH-së / Photo: Albin Kurti / Facebook

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë sot në Berlin se qeveria e tij ka vendosur që në mënyrë të njëanshme të heqë regjimin e vizave për qytetarët e Bosnjës e Hercegovinës, transmeton Anadolu.

Këtë e ka konfirmuar Kurti gjatë një fjalimi në takimin e 10-vjetorit të Procesit të Berlinit. Siç tha ai, gjatë kësaj dekade është arritur progres i dukshëm në procesin e Berlinit, por ai beson se duhen më shumë veprime.

“Paradoksi u shfaq në janar të këtij viti, kur qytetarët e Kosovës mund të udhëtojnë pa viza në Bashkimin Evropian, por ende nuk kanë lirinë e lëvizjes në Bosnjë e Hercegovinë. Ndërsa entiteti Republika Sërpska refuzon të ratifikojë marrëveshjen për lëvizjen e lirë me karta identiteti, të cilën vendi im ishte i pari në rajon që e ratifikoi në parlament, unë vendosa t'i jap fund pritjes. Nga 1 janari i vitit të ardhshëm, Republika e Kosovës në mënyrë të njëanshme do të lejojë lëvizjen e lirë të qytetarëve të Bosnjës e Hercegovinës me letërnjoftime”, tha Kurti.

Në vitin 2022 në kuadër të këtij procesi u nënshkruan pesë marrëveshje, tri nga të cilat nuk kanë gjetur zbatim ende, ku në mesin e tyre është edhe marrëveshja për heqjen e regjimit të vizave midis Kosovës dhe Bosnjë e Hercegovinës.

Përveç përfaqësuesve nga gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor – Kosova, Shqipëria, Serbia, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi dhe Bosnjë e Hercegovina dhe 10 vendeve partnere perëndimore, në këto takime marrin pjesë edhe institucionet e BE-së, institucionet financiare ndërkombëtare dhe organizata rajonale.


AA