Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha sot se politikanët nuk mund të negociojnë për vendimmarrjen e institucioneve të pavarura, duke iu referuar vendimit të Bankës Qendrore të Kosovës për ndalimin e dinarit serb.
Në konferencën për media, lidhur me dekretin e Bankës Qendrore në Prishtinë, i cili ka hyrë në fuqi sot dhe me të cilin ndalohet përdorimi i dinarit, si dhe kërkesat e BE-së lidhur me këtë çështje, ai tha se Banka Qendrore është institucion i pavarur dhe se politikanët nuk mund t’i mbivendosen BQK-së.
“BQK-ja është institucion i pavarur i Kosovës, nuk munden politikanët t’u mbivendosen institucioneve të pavarura të shtetit, sepse asisoj e humbim karakterin e republikës demokratike për vendin tonë të pavarur. Kushtetutshmëria, ligjshmëria, vendimmarrja e institucioneve të pavarura nuk mund të negociohen nga politikanët”, deklaroi Kurti.
Hyn në fuqi ndalimi i dinarit në Kosovë, flasin qytetarët serbë
Prej sot ka hyrë në fuqi Rregullorja e re e Bankës Qendrore të Kosovës, e cila përcakton që valuta e vetme e pranuar për operim në Republikën e Kosovës, është euro.
Kjo rregullore, për zbatimin e së cilës nga Qeveria e Kosovës kanë thënë se do të ketë një fazë tranzicioni e cila përfshinë informim dhe edukim për qytetarët dhe bizneset dhe jo menjëherë ndëshkime, ka prekur më shumë serbët e Kosovës të cilët ende e përdorin dinarin serb.
Pensionistja Stanica Trajkoviq nga kjo komunë, në një prononcim për Anadolu ka thënë se, përveç pensionit të pleqërisë në Kosovë, ajo merr pension edhe nga Serbia në dinarë dhe se është shumë e shqetësuar për situatën aktuale. Ajo thotë se për ndalimin e dinarit, qytetarët janë njoftuar vetëm përmes mediave.
"Askush nuk na thotë asgjë për këtë, vetëm përmes mediave, askush nuk na informon se çfarë do të ndodhë. Pres që në një kohë të shkurtër të zgjidhet, sepse pensionin duhet ta marrim për dhjetë ditë. Shpresoj se do të zgjidhet nëse marrim para në euro apo në dinarë, por besoj se dinari ynë është i vlefshëm", thotë Trajkoviç dhe shton se ky vendim është shumë i keq për serbët, të cilët janë mësuar ta përdorin dinarin.
Një shitës në Graçanicë, i cili nuk ka dashur të deklarohet para kamerave, tha se deri më tani në fshatrat serbe është përdorur edhe euro edhe dinari, por çmimet janë të vendosura në shitore në euro.
"Askush nuk erdhi tek ne sot (nga autoritetet). Thonë se dinari është ende i vlefshëm, kështu që do të shohim se sa do të zgjasë. Nëse është e mundur, do të punojmë si më parë me dinarë, e nëse jo, do të punojmë sipas të riut", thotë ai për Anadolu.