Kurti: Serbia po mban në paraburgim zëvendësdrejtorin e Policisë së Kosovës.      /Foto: Albin Kurti/Facebook

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka bërë të ditur se sot autoritetet serbe liruan katër policë të Kosovës, të cilët dje u morën në paraburgim, ndërsa zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës (PK) Dejan Jankoviq është ende në paraburgim.

Gjatë seancës së Qeverisë së Kosovës, Kurti ka marrë informacion se në paraburgim ka mbetur vetëm zëvendësdrejtori Jankoviq, i cili dje është transferuar në Rashkë për t'u marrë në pyetje.

“Sipas informacioneve të fundit, jemi njoftuar se të gjithë policët e arrestuar që përmenda në fjalën time hyrëse tashmë janë liruar, përveç zëvendësdrejtorit të Policisë së Kosovës, Dejan Jankoviq. Prandaj, ai ende mbetet në burg në Serbi”, tha Kurti.

Në fjalën hyrëse në fillim të seancës së Qeverisë së Kosovës, kryeministri tha se autoritetet serbe kanë ndaluar dje dhjetë policë të Kosovës në pikat e ndryshme kufitare ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, në Merdar, Dheu i Bardhë dhe Jarinje, si dhe në pikën kufitare ndërmjet Serbisë dhe Kroacisë, prej të cilave pesë janë liruar mbrëmë.

Kryeministri i Kosovës tha se Serbia ka ndaluar dje qindra qytetarë kosovarë në pikat kufitare për 20 orë si hakmarrje, pas fitores së Kosovës në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës, ku është miratuar raporti për anëtarësimin e Kosovës në këtë organizatë me shumicë të votave.

Kurti ka thënë se arrestimet e qytetarëve të Kosovës janë bërë të ditur të shtunën nga presidenti serb Aleksandar Vuçiq në një konferencë për media të mbajtur me rastin e përvjetorit të njësisë speciale ushtarake serbe “Cobra”.

Ndërkohë, Ministria e Punëve të Brendshme të Serbisë ka konfirmuar se katër policë të Kosovës janë ndaluar të mërkurën gjatë një kontrolli kufitar, si dhe se njëri prej tyre, zëvendësdrejtori i PK-së, është ndaluar dhe është mbajtur deri në 48 orë. Ministria e Punëve të Brendshme të Serbisë bën të ditur se ai është ndaluar për të vërtetuar faktet dhe kontrollet e nevojshme lidhur me sigurinë e Republikës së Serbisë. Personat e tjerë janë liruar pas kontrolleve të sigurisë. Siç shtohet, ata janë ndaluar gjatë kontrollit në vendkalime, për shkak të kontrolleve të sigurisë.

TRT Balkan / agjencitë